Abdulla Mehmeti

Përzgjedhja dhe emërimi i disa ministrave në Qeverinë e re të Maqedonisë, nga radhët e subjekteve politike të shqiptarëve, sigurisht me konsultime dhe marrëveshje mes tyre, kam përshtypjen se nuk është bërë me qëllim të sinqertë, për përkrahjen e reformave të nevojshme pas rënies së pushtetit të mëparshëm, por në funksion të kalkulimeve për zgjedhjet e ardhshme lokale, mbajtjen, ose marrjen e pushtetit në disa komuna shqiptare më të rëndësishme, siç është Tetova, Gostivari, Struga, Çairi, etj.

Disa nga ministrat e emëruar janë llogaritur si rrezik potencial për marrjen e pushtetit në këto komuna, dhe realisht janë eliminuar nga kjo garrë e mundshme, kinse duke u bërë ,,nder” si personalitete të dëshmuar, ata janë futur në skema të planifikuara mirë, nga të cilat lehtë mund të dalin të dështuar dhe të komprometuar.

Uroj që këto dyshime të mos jenë të sakta, ndërsa qytetarët shqiptarë të marrin mësimin e duhur nga gjithë këto lojëra politike në të kaluarën, duke kërkuar alternativa të reja për dalje nga kriza e thellë politike, ekonomike dhe morale që e ka mbërthyer një kohë të gjatë shoqërinë shqiptare në Maqedoni. Sidoqoftë, unë vlerësoj se më i rëndësishëm për të ardhmen e një partie politike është një komunë e rëndësishme, se një ministër, ku ai nuk mund asgjë të ndërmerr jashtë programit të qeverisë.

(2.VI.2017)