Letra e dytë lëshuar nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka arritur në Presidencë. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarisht nga kabineti i Gjorgji Ivanovit, por ky i fundit ende nuk është i gatshëm që t’i japë mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev. Në njoftimin zyrtar lëshuar nga kabineti i tij thuhet se Ivanov pret nga lideri i LSDM-së që ta plotësojë fjalën e dhënë publike se “bashkë me partnerët e koalicionit të sigurojnë garanci për përforcimin e unitaritetit të shtetit dhe se gjithçka do të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

“Presidenti Ivanov ngelet në qëndrimin se e ashtuquajtura Platforma e Tiranës, por edhe çfarëdo dokumenti tjetër, akt ose veprim kundër Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, nuk mundet që të jetë kusht, por as bazë për formimin dhe veprimtarinë e Qeverisë së Maqedonisë. Presidenti i Maqedonisë, në lidhje me ndarjen e mandatit, do të veprojë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe deri me praktikën e vendosur deri më tani”, thonë nga Kabineti i Ivanovit.

Letrën e dytë në presidencë Xhaferi e nisi dje pasinënumrin e ri të Gazetës Zyrtare të Maqedonisë, u publikua vendimi për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë. Menjëherë pas zgjedhjes së në këtë post, Xhaferi është vizituar nga disa ambasadorë të vendeve të huaja të akredituar në vend. Ai paraditën e sotme ka pritur ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Reka.

“Ambasadori Reka nënvizoi domosdoshmërinë e ruajtjes së kontinuitetit në marrëdhëniet e mira dhe miqësore të dy shteteve në të ardhmen, për çka beson se do të mbahet trendi pozitiv i marëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Në të njëjtën kohë ka riafirmuar mbështetjen e fuqishme të integrimeve euro atlantike të Republikës së Maqedonisë, të cilën Republika e Shqipërisë si vend anëtare e NATO-s do të vazhdojë edhe më tej të ja ofrojë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i Shaferit.

Ndërkaq, po sot pasdite kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka takuar edhe ambasadoren e Konfederancës zvicrane, Sibil Zuter Tehada.