Procesi i mbledhjes së nënshkrimeve të deputetëve për emërimin e mandatarit të dytë po stagnon. Kjo fundjavë do të kalojë pa asnjë aktivitet konkret në drejtim të gjetjes së një gjuhe të përbashkët mes partive. BDI gjatë javës tjetër pritet të intensifikojë bisedimet lidhur me nënshkrimet që deputetët e kësaj partie duhet t’ia japin mandatarit të ri për të siguruar kushtin e kërkuar nga presidenti Ivanov. Kjo më pas do t’i hapte rrugën një hapësire kohore prej 20 ditësh për të negociuar rreth kërkesave të saj për një koalicion qeverisës. Aktualisht brenda partisë së Ali Ahmetit nuk po zhvillohen aktivitete. Burime brenda integristëve thonë se për momentin nuk ka asnjë indicje se BDI do t’ia japë nënshkrimet Zaevit ndërsa nuk vërehet as gatishmëri për një gjë të tillë. Zyrtarisht nga partia e Ahmetit nuk pranuan të prononcohen për këtë temë. Nga ana tjetër, LSDM-ja u bëri thirrje të gjitha partive të jetë të vetëdijshme për përgjegjësinë që mbajnë për vendimet e tyre. Zëdhënësi i socialdemokratëve, u shpreh optimist për formimin e shpejtë të qeverisë së re.

“Të gjitha subjektet politike që janë të përfshira në proces duhet të jenë të vetëdijshme për gjendjen në të cilën ndodhet Maqedonia, për ndjeshmërinë e situatës dhe të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre. LSDM-ja është tërësisht e angazhuar për të gjetur zgjidhje të shpejtë dhe efikase, për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë. Qytetarët zgjodhën Qeveri që do t’i sjellë ndryshimet e nevojshme dhe një Qeveri e tillë do të zgjidhet”, deklaroi Petre Shilegov, LSDM, shkruan Alsat-M.

E heshtur mbetet edhe VMRO-DPMNE-ja. Nga partia e Gruevskit nuk u përgjigjen në pyetjet nëse do të tentojnë mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për një mandat të dytë për formimin e Qeverisë dhe as nëse kanë menduar opsionin e kandidimit të një mandatari tjetër të mundshëm nga partia e tyre.

“VMRO-DPMNE-ja si fituese e zgjedhjeve do të bëjë përpjekje maksimale që të respektohet vullneti i shumicës së votuesve të cilët i dhanë mbështetje programit tonë. Gjithsesi, VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin se mbajtja e zgjedhjeve të reja është zgjidhja më e mirë në drejtim të tejkalimit të krizës dhe kthimin e reformave prioritare në plan të parë”, njoftojnë nga VMRO-DPMNE.

Partitë dhe koalicionet tjera, si Besa dhe “Aleanca për shqiptarët” kanë deklaruar se janë të gatshëm të përkrahin me nënshkrimet e deputetëve të tyre kreun e LSDM-së për t’u emëruar mandatar. Sipas tyre, e rëndësishme në këtë proces është zbatimi i platformës së përbashkët të partive shqiptare, për të cilën LSDM-ja nuk është deklaruar akoma.