Tejkalimi i problemit me mungesën e fuqisë punëtore në Maqedoninë e Veriut, kthimi i besimit në institucionet dhe krijimi i politikave aktive të përbashkëta për uljen e papunësisë, ishin disa nga temat e diskutimit në takimin e sotëm “Tejkalimi i hendekut ndërmjet ofertës dhe kërkesës së punës”, me zëvendëskryeministrin e Qeverisë për çështje ekonomike dhe koordinim të resorëve еekonomik, Koço Angjushev, ministres për punë dhe politikë sociale, Milla Carovska dhe përfaqësuesve të Odës ekonomike amerikane në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri, Koço Angjushev, theksoi se Qeveria krijon programe përmes të cilave financiarisht u ndihmon kompanive me qëllim që ata të bëhen më të fuqishëm dhe më konkurrent në fushën e teknologjisë, të rrisin vlerën e tyre dhe rrogat, ndërsa me rroga më të larta vendet e punës në industri fitojnë atraktivitet më të madh.

“Hendeku përmes asaj që është nevojë në ekonominë reale të fuqisë punëtore dhe asaj që ofrohet në treg, gjegjësisht, cilat janë mundësitë dhe numri i të punësuarve është i madh dhe krijon pengesë për industrinë. Me komunitetin e biznesit ndajmë të njëjtin mendim se kjo në të ardhmen mund të paraqesë faktor kufizues për zhvillimin e ekonomisë, pasi që ky nuk është problem vetëm i arsimit, por edhe i industrisë. Pikërisht për këtë i po i bëjmë të gjitha hapat e nevojshme për të zgjidhur këtë problem dhe atë përmes masave aktive në Ministrinë e punës dhe politikës sociale dhe me të gjitha projektet strategjike në lidhje me mbështetjen financiare për industrinë, për rritjen e fuqisë teknologjike, për rritjen e vlerës së shtuar të produkteve, fitimin e kompanive për të ndarë paga më të mëdha. Është fakt që atraktiviteti i vendeve të punës, veçanërisht mund të arrihet me rritjen e pagave dhe sigurimin e një jete më të mirë për qytetarët,” theksoi Angjushev.

Ministrja e punës dhe politikës sociale fton sektorin e biznesit me propozime konkrete të marrë pjesë në krijimin e programeve dhe masave për punësim, sepse kompanitë janë ato të cilat më mirë e dinë se cili kuadër u nevojitet, për të funksionuar me sukses, ndërsa Qeveria do të gjejë mënyrë si t’i realizojë të njëjtat.

“Ne si Qeveri jemi të përgatitur që t’i dëgjojmë kërkesat e sektorit të biznesit. Vitin e kaluar sektori i biznesit nga Strumica u organizua dhe kërkoi nga Ministria e punës dhe politikës sociale të krijojmë masa aktive vetëm për atë rajon. U krijuan masat, kishin nevojë për rikualifikim adekuat të kuadrit edhe në 45 ditët e para nga publikimi i tij, masa u realizua. Nëse planifikimin dhe programimin e vendosim në nivel lokal, atëherë komuniteti i biznesit beson që masat nuk janë për populizëm, por japin efekte në punësim në kompanitë e tyre. Kontribut të madh për aktivizimin e të rinjve në tregun e punës kanë edhe Garancia e të rinjve, me të cilën vitin e kaluar u përfshinë rreth 6.500 persona nga të cilat 1.900 u punësuan dhe Ligji për përvojë praktike i cili u jep mundësi të rinjve, që menjëherë pas përfundimit të shkollimit të fitojnë të drejtën për punë praktike dhe për këtë të jenë të paguar. Ky Ligj presim të risë punësimin e të rinjve,” theksoi Carovska.

Dijana Despodov, drejtoreshë e odës ekonomike amerikane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, thotë se bizneset e mëdha që janë anëtare të Odës në mënyrë të mprehtë ndjenë nevojën për fuqi punëtore plotësuese, si profesionale por dhe joprofesionale në tregun e punës.

“Hendeku ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës nuk është vetëm problem i sektorit të biznesit dhe Qeverisë, por edhe i shoqërisë në tërësi dhe në këtë mënyrë duhet të zgjidhet në bashkëpunim me sektorin publik, privat, shtetëror dhe në bashkëpunim me të rinjtë, zëri i të cilëve gjithashtu duhet të dëgjohet,” theksoi Despodov./Telegrafi/