Me rastin e zgjedhjeve të radhës parlamentare, të cilat do të mbahen ditën e diel, më 11 dhjetor, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) bën apel për zgjedhje të qeta dhe demokratike.

Meqë, edhe raporti i fundit i progresit të Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë, ishte i kushtëzuar, mes tjerash, edhe me organizimin e zgjedhjeve parlamentare fer dhe të lira, është më se e nevojshme që të gjitha institucionet shtetërore kompetente për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, pra Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Punëve të Brendshme, t’i garantojnë çdo qytetari realizimin e të drejtës së votimit, të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, duke mos e cenuar në asnjë mënyrë këtë të drejtë.

Po ashtu, u bëjmë apel të gjitha subjekteve politike, të cilat drejtpërdrejtë garojnë në procesin zgjedhor, që në ditën e votimit të respektojnë rregullativën zgjedhore dhe normat tjera pozitive ligjore, duke kontribuuar në mbarëvajtjen e këtij procesi.

QMBI fton edhe qytetarët e RM-së, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore dhe demokratike për të dhënë votën e lirë, sipas bindjeve të tyre personale.

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional e bën këtë apel edhe në cilësinë e vëzhguesit të zgjedhjeve parlamentare 2016.

Me shpresë për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.

Muhamed Murtezi

Kryetar i QMBI