Ish-deputeti Bekim Qoku përmes një postimi ka shkruar se përse po heshtet për dështimin e këshillit opozitar, i cili kishte si bartës publicistin Kim Mehmeti.

“Heshtja e gazetarëve, politologëve, moderatorëve politikë, analistëve dhe publicistëve përball rolit dhe natyrës së Këshillit Mbipartiak/Opozitar si anomali politike, nuk duhet të vazhdojë edhe tash pasi ai u fik. Fundi i një procesi apo entiteti kërkon t’i bëhet një bilanc përfundimtar. Këtë publikut ia keni borxh.

Të gjitha ata gazetarë politolog, moderatorë tv, analistë e publicistë, të gjithë ata që në emër të shoqërisë civile kishin marasin dhe sikletin e unifikimit të opozitës dhe kërkonin të bezdisur argumente e shkaktar se pse ky bashkim nuk ndodh, është momenti i përkryer të shuajnë të paktën kurreshtjen e tyre duke u interesuar pak më shumë për rolin e vërtet të këtij Këshilli, themelimi i të cilit bazohej në misionin përbashkues të shqiptarëve.

Ekzistenca e kësisoj trupash politik janë të dëmshëm për skenën tonë edhe ashtu të brishtë politike dhe mendoj vërtet që nuk duhet të harrohet kaq shpejt ky fenomen, të paktën me arsyetimin që mos i teket kujtdo të na heqë për hunde me këto forma veprimi në të ardhmen.”, ka shkruar Qoku. (INA)