Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Kumanovë, në kuadër të projektit “Streha e jetimëve” bëri shpërndarjen e radhës të pagave mujore për jetimët nga rrethina e Kumanovës dhe Likovës, për vitin 2016, transmeton TetovaSot.

Që nga themelimi i saj, QSA në Kumanovë ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar donatorë, të cilët e përkrahin këtë projekt, duke u nisur nga nevojat e mëdha në terren për realizimin e këtij projekti.

Qëllimi i projektit është solidarizimi me fëmijët jetimë (pa prindër – njërin apo të dy) në rrethinën e Kumanovës e Likovës si dhe të Shkupit, duke u siguruar përkrahje materiale për mbulimin e disave nga nevojat shumta të tyre.

Fëmijët përfitues janë përzgjedhur në bazë të gjendjes së tyre socio-ekonomike e shëndetësore, në bazë të evaluimit të formularëve, të cilët janë plotësuar nga stafi i QSA-së, me rastin e intervistimit të këtyre familjeve.

Përfituesit e projektit janë fëmijët jetimë me kushte të vështira ekonomike e sociale nga vendbanimet e komunës së Kumanovës e Likovës si dhe të Shkupit, të moshave të 0 – 12 vjeç, të cilëve u mungon njëri apo të dy prindërit. Në kuadër të projektit, këta fëmijë përfitojnë një pagë mujore në shumë prej 1,350 denarësh (22.50 eurosh).

Përmes kësaj ndërhyrjeje, QSA ka si qëllim të ndikojë në zbutjen e gjendjes ekonomike e sociale tek kjo kategori sociale, por gjithashtu të nxisë ndjenjën e solidaritetit, që këta fëmijë janë pjesë e shoqërisë dhe nuk janë të vetëm, por e gëzojnë të drejtën e përkrahjes e mbështetjes së vazhdueshme të shoqërisë dhe institucioneve.

Përveç pagave mujore, QSA tashmë për këta fëmijët jetimë përfitues të projektit, ka krijuar një bazë të dhënash, ku përfshihen biografia e tyre, kushtet e akomodimit, shëndeti, të dhënat mbi kujdestarin/en, nivelin e edukimit dhe arsimimit, shërbimet që u ofrohen atyre nga institucionet publike, përkrahja dhe ndihmat materiale që u sigurohen nga institucionet gjegjëse etj.

Të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë në vend dhe diasporë, si dhe bizneseve lokale këtu në Kumanovë e Likovë, QSA u mundëson të marrin pjesë në financimin e ndonjë jetimi në shumë prej 25 euro në muaj (22.50 euro për jetimët dhe 2.50 euro taksë shtetërore për të ardhura të qytetarit), për t’u solidarizuar me ta në këto kushte të vështira ekonomike e sociale që e kanë mbërthyer trevën tonë dhe të bëhen pjesë e projektit tonë.

QSA në Kumanovë falënderon partnerin dhe donatorët e projektit për kontributin e dhënë në realizimin e projektit “Streha e jetimëve” dhe solidarizimin me jetimët Kumanovar dhe Likovas./TetovaSot/