Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, bashkë me krerët e katër komunave në veri të Kosovës, është paraqitur  të martën nga Beogradi.

Pas takimit që e kishin me drejtorin e zyrës qeveritare të Serbisë, Petar Petkoviq, Rakiq tregoi se të hënën mbi dy orë biseduan në Prishtinë me ambasadorët e shteteve të grupit QUINT të akredituar në Kosovë.

“Ata na ftuan që ne të pranojmë realitetin në terren dhe ky realitet është që Kosova është e pavarur. Ne u thamë qartas “asnjë serbë se pranon këtë pavarësi dhe kurrë s’do e pranojnë” Ne shohim kah Brukseli, kah presidenti jonë Aleksandar Vuçiq, pra shohim tavolinën e Brukselit. Për ne kjo kurrë nuk është punë e kryer e as që do të jetë”, theksoi Rakiq.

Sipas tij,punë e kryer është dhe përkrahja që e kanë ndërkombëtarët për qeverinë kosovare në zbatimin e vendimit për reciprocitet me dokumente e konvertimin e  targave të makinave nga  regjistrime të vjetra të Serbisë KM në RKS.

“Dua të ua sqaroj të gjithëve  se ato nuk janë tabela të Millosheviqit, por janë tabela që i lëshon Serbia për qytetarët tanë që jetojnë atje poshtë pra në Kosovë” shtoi Rakiq, që është ministër për komunitete e kthim në qeverinë e Kosovës.

Nga ana e saj nënkryetarja e Zubin Potokut foli mbi atë që e quajti “qëndrimin e drejtë të serbëve karshi vendimeve të qeverisë në Prishtinë”

“Këtë mëngjes kur erdha për Beograd në kalimin administrativ më pritën armë të gjata. Ju flas si nënë e dy fëmijëve që jeton në Kosovë ,dhe e cila përnjëmend do që  nipërit ti jetojnë aty  sepse kjo  është toka e stërgjyshërve me shekuj e shekuj. Ajo çka po bëjnë institucionet në Prishtinë s’i përshtatet askujt e aq më pak neve. Ne kurrë s’do pajtohemi me vendime të njëanshme të zotëri Albin Kurti”, tha Latinka Utviq, nënkryetare e Zubin Potokut.