Marketing parazgjedhor dhe tentim për përfitim të pikëve politike, kështu e kanë vlerësuar banorët e Tetovës dhe fshatrave përreth mundësin e rihapjes së kombinatit të Jugohromit. Ata kundërshtojnë ashpër rihapjen e këtij kombinati derisa nuk plotësohen kushtet, saktësisht derisa nuk vendosen filtrat, njofton Alsat M.

Unë më tepër e shoh në suaza të një fushate parazgjedhore se sa realisht mund të hapet, sepse tanimë është vendosur që pa vënien e filtrave mos ndodh një gjë e tillë. Nuk duhet të ketë në asnjë rast asnjë kompromis për fillimin e punëve në këtë gjendje kështu si ka funksionuar deri më tani kjo fabrikë”.

”Nuk kam koment, nuk kam koment për këtë”.

”Nuk besoj, nuk besoj që do e hapin, veç për vota e kanë”, thonë disa banorë.

Me qëndrim të njëjtë janë edhe ambientalistët, sipas të cilëve qeveria as që duhet të përmend rihapjen e Jugohromit pa përmbushjen e kushteve, që nënkupton vendosjen e filtrave.

”Individualisht e them edhe si ambientaliste sepse shumë mirë e dinë, dhe ua kemi dërguar këtë porosi, se kemi zero tolerancë ndaj ndotjes. Besoj se zoti Zaev e di shumë mirë problemin dhe bekgraundin e tij dhe pres të jetë më i hapur dhe më konstruktiv në këtë aspekt”, tha Merita Maksuti, ambientaliste.

Mundësina e rihapjes së Jugohromit ka nxitur reagimin edhe të Organizatës Nëna dhe Fëmija. Nga kjo Organizatë shprehen se reagimi i qytetarëve në rastë të hapjes së Jugohromit pa përmbushjen e kushteve do të jetë shumë i ashpër.

”U vërtetua në këtë shtet se marrëveshjet janë në të mirë të votës dhe jo në të mirë të qytetarëve dhe jam e sigurt se qytetarët por edhe ne të organizatave nuk do lejojmë hapjen e fabrikës pa instalim të standardeve ekologjike. Shfrytëzoj rastin që të kërkoj prej Qeverisë që të shpalos marrëveshjen që e kanë nënshkruar dhe, sinqerisht i drejtohem kryeministrit Zaev që të jetë i kujdesshëm në nënshkrimin e marrëveshjeve të reja”, tha Elmedina Abdullahi, nga organizata Nëna dhe fëmija.

Mundësinë për rihapjen e Kombinatit Jugohrom gjatë ditës së djeshme e paralajëmroi edhe zv/ ministri i ekologjisë Jani Makraduli, sipas të cilit rifillimi i Jugohromit është pjesë e angazhimeve të qeverisë që të gjithë kapacitetet industriale në vend të funksionojnë, por me obligime të plotësuara për mbrojtjen e ambientit. /Fol/