Qytetarët e Tetovës tani e një javë nuk kanë ujë për pije. Gjatë ditëve të caktuara, disa orë në ditë me restrikcione, uji është lëshuar, por kjo ka zgjatur në intervale të shkurtëra. Sipas zyrtarëve përgjegjës, problemi qëndron tek gypi kryesor i ujësjellësit në Malin Sharr, por Arianit Xhaferi, aktivist i mjedisit, gishtin e drejton tek autoritetet lokale, pasi siç thotë, mungesa e ujit për pije përsëritet disa vite me radhë dhe nuk kanë siguruar një zgjidhje të përhershme për problemin.

Drejtori i Ndërmarjes Publike Komunale, Xhelal Ceka, tha për televizionin Shenja se shkak për këtë problem është rrëshqitja e dheut që ka dëmtuar gypin kryesor, ndërsa vonesat janë pasojë e terrenit të vështirë, e ku sipas tij është punuar që nga dita e parë e shfaqjes së problemit. Ceka thotë se janë lëshuar edhe puset e qytetit si zgjidhje e përkohshme, ndërsa premton se zgjidhja e problemit është në fazën e fundit dhe që nesër tetovarët do të kenë ujë për pije me kapacitet të plotë.

Kjo nuk është hera e parë që tetovarët përballen me mungesë të ujit për pije. Vitet e kaluara problemi është përsëritur disa herë, ndërsa si shkaqe janë përmendur rrjeti i vjetëruar në qytet, gypi kryesor që së fundmi u tha se u riparua nga Komuna e Tetovës, por edhe defekte të tjera.

Për të kërkuar përgjegjësi për këtë lënie pas dore organizata Eco Guerilla, para tre ditësh i ka dërguar një letër kryeministrit Zoran Zaev, ku ka kërkuar përgjegjësi për mungesën e ujit në Tetovë dhe ndërtimin hidrocentraleve në Malin Sharr.

“A e dini se ditët e fundit Tetova ka qenë pa ujë? Arsyet: në Malin Sharr, në lokacionin e Leshnicës në kaptazhën e posandërtuar ka rrëshqitje të mëdha të dheut me çka është dëmtuar seriozisht rrjeti. Pasojat: vetëm 300 metra afër kaptazhës është ndërtuar një nga mini-hidrocentralet e shumta që po shkatërrojnë natyrën në Malin Sharr”, është theksuar ndër të tjera në letrën e Eco Guerillës.