Koce Trajanovski bëri të ditur se çmimi ka një shumë simbolike prej 10 mijë denarësh dhe shpërblehen personat më human dhe më guximtar në tre profesione.

 

Në hapësirat e Këshillit të Qytetit të Shkupit, sot u ndanë çmimet për policin, zjarrfikësin dhe dhuruesin më të mirë të gjakut në territorin e Qytetit të Shkupit për vitin 2016, raporton Anadolu Agency (AA).

Çmimet për policin, zjarrfikësin dhe dhuruesin më të mirë të gjakut ndahen tradicionalisht çdo vit, me synim për të nxitur humanitetin, guximin dhe përkushtimin në kryerjen e detyrës në këto tre fusha. Çmimet u ndanë nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, i cili bëri të ditur se çmimi ka një shumë simbolike prej 10 mijë denarësh dhe shpërblehen personat më human dhe më guximtar në këto tre profesione.

“Me këtë çmim ne duam t’i inkurajojmë edhe të tjerët që punojnë në këto profesione, që të jenë më human, më guximtar dhe më të përkushtuar në kryerjen e detyrës së tyre. Në të njëjtën kohë, kjo është inkurajim edhe për qytetarët e Shkupit, sepse të gjithë ne ndonjëherë e gjejmë veten në momente ku duhet ta tregojmë humanitetin, guximin dhe përkushtim tonë”, tha Trajanovski.

Këtë vit çmimi për policin më të mirë iu nda Marjan Dimitrievskit, për zjarrfikës më të mirë Xvonko Stojanovskit dhe për dhurues më të mirë të gjakut iu nda Lubço Velkovskit.

“Ky çmim është një nder i madh për mua dhe në të njëjtën kohë më inkurajon edhe me shumë përkushtim të punoj në profesionin tim”, u shpreh fitues i çmimit zjarrfikësi më i mirë, Xvonko Stojanovski.

“Unë nuk jam askioner të pres aksionet që organizohen, por çdo javë me vetëiniciativë unë dhuroj gjak”, u shpreh fituesi i çmimit për dhurues më të mirë të gjakut, Lubço Velkovski.

Edhe fituesi i çmimit si polici më i mirë, Marjan Dimitrievskit, theksoi se ky çmim e inkurajon që të kryejë detyrën e tij në mënyrë më profesionale./Telegrafi/