Kryeministri në largim i Bullgarisë, Kiril Petkov arriti në Bruksel, pasi dje ra qeveria e tij. Në hyrje kishte problem me komunikimin dhe celularin.

Para gazetarëve tha se sot Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do t’u tregojë se i ka premtuar popullit bullgar se vendimin do ta sjellë Kuvendi pas arritjes së propozimit francez.

“Pa marrë parasysh se mua më pëlqen propozimi francez. Atë që unë po e shoh brenda tij është se Kushtetuta do të ndryshohet para fillimit të negociatave. Atë që unë po e shoh është se për shkak të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes ne do të mundemi ta pengojmë procesin dhe protokolli dypalësh i cili në mënyrë të qartë i tregon pozitat tona, ky është një propozim shumë i mirë. Unë nuk mendoj se do të kemi përsëri një propozim të këtillë”, deklaroi Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Ai shtoi se deputetët tashmë dy ditë nuk mund të sigurojnë kuorum për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit duke e theksuar krizën politike në të cilën hyri Bullgaria.

“A e dini pse nuk duan të bëjnë kuorum? Sepse kanë frikë, sepse nuk mund ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit Popullor. Ata njerëz janë frikacakë, ata njerëz mendojnë vetëm si të manipulojnë. Nëse kanë pozicion të vërtetë sot mblidhet Komisioni dhe gjatë ditëve në vijim mund të ketë debat të hapur ku i gjithë populli bullgar do të mësojë. Të gjithë duhet të dinë se e kemi mbrojtur pozitën me këtë propozim”, tha Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Ai kritikoi Presidentin Rumen Radev se nuk ka marrë qëndrim të fortë lidhur me këtë çështje dhe se nuk e ka thirrur Këshillin Konsultativ për Siguri Nacionale.

“Nëse je President, e thërret Këshillin, ulemi të gjithë së bashku, diskutojmë dhe dalim. Por, maskat ranë, jam i lodhur nga frikacakë. Do ta mbaj premtimin e dhënë ndaj popullit bullgar dhe shpresoj se do të ketë debat të hapur, pasi ky është një moment historik. Ky propozim është shumë i mirë, por duhet të pranohet në mënyrë të duhur”, pohoi Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Në Bullgari vazhdon të ketë qëndrime të ndara për mbështetjen e propozimit francez. Dje, ai u mbështet nga GERB-i dhe Bojko Borisovi, por sot “kundër” këtij propozimi dolën socialistët bullgarë. Në Sofje tani për tani askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësi dhe të sjellë vendim për pakon dokumentesh të diplomacisë franceze, të cilat duhej të rezultonin me heqjen e vetos.