Ralf Rangnik, trajneri aktual i Mançester Junajtedit, firmosi kontratë dy vjeçare me Federatën e Futbollit të Austrisë, për tu bërë përzgjedhës i Austrisë. Trajneri gjerman pritet të debutojë në muajin qershor të këtij viti, me ndeshjet në Ligën e Kombeve. Kontratë dy vjeçare, ka edhe opsionin e vazhdimit automatik të kontratës edhe për dy vite të tjera, nëse arrin ta çojë Austrinë në Kampionatin Evropian të Gjermanisë në vitin 2024.

“Është një nder të jesh trajner dhe qasja është veçanërisht emocionuese për shkak të shansit për të luajtur në Kampionatin Evropian në Gjermani, me këtë ekip të ri që është i etur për sukses”, tha Rangnik.

Në karrierën e tij, Rangnik ka drejtuar skuadrat e Hofenhajmit, Shallkes, Red Bull Salzburgut dhe tani aktualisht është në pankinën e “Djajve të Kuq”.