Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se tashmë ka arritur në Prishtinë, ku tha se ka ardhur të mësoj më shumë pas aktakuzës së Speciales kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Rama përmes një shkrimi në Twitter, u shpreh se ky takim vjen pas “fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë”.

“Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre”, shkruan Rama në Twitter.

Deri më tani të vetmit që e kanë konfirmuar takimin me kryeministrin Rama janë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti.

Lexo po ashtu:
Kryeministri Rama vizitë dyditore në Kosovë
Kryeministri Rama vizitë dyditore në Kosovë
Ndryshe, është raportuar se shefi i qeverisë shqiptare do të ketë sot dhe të martën takime me krerë të shtetit dhe politikës në Kosovë si me presidentin Hashim Thaçi, me kryeministrin Avdullah Hoti, me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.