Kryeministri Rama kërkon një mandate të dytë për një reformë që e quan historike, atë të administratës së shtetit. Në komunikimin e tij javor, kreu i qeverisë premtoi se koha kur vendet e punës në administratë ndahen si në tepsi nga partitë e koalicionit, do të marrë fund.

Rama:  A do ti hyjmë më në fund reformës të thellë të administratës së shtetit, për ta kthyer në duart tuaja çdo zyrë që duhet tju shërbejë ju të gjithëve pa dallim, apo do vazhdojmë avazin çerek shekulli të kapjes së shtetit nga partitë për të punësuar njerëz në këmbim të votave. Administrata e shtetit tonë përveç pjesës lart të administratës publike prej 27 vitesh është khyer në një tepsi që ndahet mes partive sipas peshës në koalicion. Nëse duam të bëjmë shtet serioz dinjitoz, modern do ti japim fund kësaj historisë së tepsi shtetit.

Rama bëri të qartë se nuk ka një plan për bashkëqeverisje me PD apo një komplot kundër LSI, por për të bërë këtë  reformë Rama kërkoi një mandate të plotë vetëm për PS.

Rama: Kë do zgjidhni kryeministër? Lulin, Petritin, Shpëtimin apo Benin…askush nga këta, as nuk bëhet dot kryeministër dhe as nuk e bën dot këtë detyrë as në ëndrrën e vet më optimiste. Mos na lini në dorë të partive të tjera dhe të llogarive të tepsisë së vjetër të pushtetit që e kanë penguar për 27 vjet Shqipërinë të ndërtojë një administratë të shëndetshme dhe mos i dëgjoni përrallat e katundit politik dhe mediatik për bashkëqevrisje të paravendosur me PD apo komplot kundër LSI dhe partive të vogla. S’ka asnjë plan për bashkëqevrisje dhe nuk ka asnjë komplot.

Votën shqiptarëve ia kërkon për të bërë historinë dhe për këtë thotë se është gati.

Rama: Unë jam gati ta udhëheq këtë betejë madhore dhe jetike për Shqipërinë që duam. Më shikni në sy dhe më dëgjoni mirë. Kemi në dorë të bëjmë historinë në pjesën e dytë, të gjithë së bashku, socialsitë dhe demokratë  dhe të tjerë akoma duke u bashkuar në 25 qershor për të bërë shtet jo duke u ndarë për të bërë tifozllëk.

Rama tha se nga mandati i dytë e ndajnë vetëm 20 ditë dhe i bëri thirrje socialistëve dhe demokratëve të votojnë për një fitore si ajo Realit të Madridit kundër Juventusit.

/Oranews.tv/