Kryeministri Edi Rama në një intervistë ekskluzive për Tonight Ilva Tare, në Rtv Ora News flet per situaten ne Maqedoni.

Ilva Tare: Agjencia ruse Sputnik u ka akuzuar ju si njeriu që rrëzoi Gruevskin. Keni pasur qëllim që të mos lejoni Gruevskin për marrjen e pushtetit në Maqedoni?

Edi Rama: Kjo është një pyetje sa vlen sa 40 të mëparshmet.

Ilva Tare: Mos vlerësoni nivelin e pyetjeve. Nuk ju kemi thirrur për këtë.

Edi Rama: Unë bëj vlerësimet e mia…

Ilva Tare: Unë përfaqësoj publikun

Edi Rama: Unë përfaqësoj publikun, ju përfaqësoni pronarin. Është një pyetje shumë e rëndësishme dhe që lidhet me një temë shumë të rëndësishme të shqiptarëve. Nuk është arritja ime, por që kam dhënë kontributin tim jo për të rrëzuar njërin dhe ngritur tjetrin, por për të ndikuar që shqiptarët të trajtohen me dinjitet si të barabartë në një shtet që ne kemi interes strategjik ta shikojmë stabël dhe në konsolidim. Shqiptarët në Maqedoni janë popullsi shtetformuese. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni. Bashkëjetesa e shqiptarëve me maqedonasit, harmonia në këtë bashkëjetesë dhe respekti i barabartë si njerëz është kyç. Kjo është e gjithë. Asnjë ndikim që shqiptarët të bëhen me njërin apo me tjetrin. Thjesht dhe vetëm inkurajim dhe mbështetje për një platformë të të gjithë shqiptarëve bashkë që nuk janë bërë një parti. Kanë divergjencat e tyre.

Ne e respektojmë pluralizmin e partive siç respektojmë Maqedoninë një dhe të pandashme. Në respekt të pluralizmit të tyre, ata kanë rënë dakord që disa çështje themelore që nuk janë të reja, të shpikura apo të shkruara në Tiranë, por të vulosura  marrëveshjen tanimë antike të Orhrit, të vendosen në tavolinë si detyrime të përbashkëta të shqiptarëve dhe të maqedonasve për t’i implementuar. Marrëveshja e Ohrit është ylli polar i shqiptarëve dhe për një periudhë kohe për fat të keq, ai yll polar u zbeh apo u imitua le të themi në mënyrë artificiale duke u lënë jashtë vëmendjes në thelbin e vet. Kjo është e gjitha. Se bie dakord me njërën palë se me tjetrën nuk ka rëndësi. Shqiptarët kanë rënë dakord për këtë platformë. Do të isha shumë i dëshiruar që të shikoja nga pala maqedonase objektivitet dhe realizëm.  Shqiptarët nuk mundet më të tërhiqen në qeveri dhe pas qerres së qeverisë për ca poste e vetura. Shqiptarët meritojnë të respektohen njësoj si maqedonasit.

Ilva Tare: Keni sinjale nga internacionalja socialiste për të përkrahur Zaevin?

Edi Rama: Nuk është çështje internacionalesh dhe politikash partiake. Çështja është kombëtare për ne dhe strategjike për Maqedoninë. Nëse ka çështje që kërkojnë  ndryshime kushtetuese ato janë vizion shqiptar në një platformë që lidhet me marrëveshjen e Ohrit në objektiva jo afatshkurtër.

Që pala maqedonase ta njohë këtë vizion dhe të angazhohet për të mbështetur këtë vizion, ky është minimumi që mund të bëhet për shqiptarët. Nuk bëhet fjalë që të imponohet dikush të bëhen ndryshimet kushtetuese nesër se nuk i kanë as numrat.

Duhet të hyjë në një fazë të re në Maqedoni, të ndryshojë kultura politike maqedonase në raport me shqiptarët. Shqiptarët atje nuk janë as bisht, as shtojcë dhe . Shqiptarët duhet të jenë të barabartë me maqedonasit.

Edi Rama: Faktori shqiptar është pozicionuar në anën e duhur të historisë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë. Ne kemi mbështetur dhe inkurajuar atë që ziente në zemrat e shqiptarëve dhe që në fund filloi të ziej në zemrat e përfaqësuesve të tyre politikë dhe kjo ishte më e mira në këto zgjedhje.

Ilva Tare: Pritshmëria juaj do të ishte që të pranohej kërkesa, marrëveshja me partitë shqiptare?

Edi Rama: Aty ku ka vullnet ka gjithmonë një rrugë. Pritshmëria jonë do të ishte të ndodhte një ndryshim kulturor në politikën maqedonase në raport me shqiptarët që të reflektonte atë që ka ndodhur në shoqëri. Çdo thellim i dasisë me shqiptarët në jetën reale dhe çdo frustrim i shqiptarëve që nuk jetojnë në sallone apo nuk udhëtojnë me veturat e administratës është në dëm të Maqedonisë. Maqedonia për t’u integruar në NATO dhe BE ka dy sy, një janë shqiptarët dhe tjetri maqedonasit.

Lexoni intervisten e plote 
Rama në Tonight Ilva Tare: Nuk marr urdhra për shkarkimin e Tahirit