Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbërritur nga vizita në Majami dhe është nisur menjëherë drejt zonave të përmbytura. Rama ka ndaluar fillimisht në zonën e Sukthit, ku është njohur nga afër me situatën e krijuar nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të shiut.

Rama është takuar me banorët e Sukthit, të cilët janë shprehur se Emergjencat Civile i janë përgjigjur menjëherë thirrjes së tyre për ndihmë.

Kreu i qeverisë tha se shteti e ka ngritur prej kohësh këtë strukturë, efikasiteti i të cilës ka qenë maksimal.

Pas takimit me banorët e Sukthit, Rama ka inspektuar edhe përmbytjet në Shijak. Kreu i qeverisë tha se projektet e pastudiuara mirë favorizojnë krijimin e situatave të tilla në stinën e reshjeve.

“Natyra është shkatërruar me projekte kuturu. Veprat mbrojtëse janë prishur për të ndërtuar shtëpi. Kjo ka një kosto që vjen më pas, pa llogaritur edhe faktin se një sërë vendesh janë përfshirë në një situatë të tillë për shkak të ndryshimeve klimatike”, tha ai.

Duke risjellë në vëmendje përmbytjet e mëparshme kryesisht në zonat e Ultësirës Veriperëndimore, Rama tha se qeveria ka dhënë dëmshpërblimet për çdo person të prekur nga përmbytja.

“Si asnjëherë më parë, kemi dëmshpërblyer dëmet. Kemi likuiduar 7 milionë euro për të përmbyturit e zonës së Shkodrës”, tha ai.

rama