Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i pyetur për marrëdhëniet e qeverisë së tij me Maqedoninë, tha ai se nuk përzihet në politikën e brendshme të këtij vendi por është i interesuar për zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe barazi mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Rama tha se qeveria e tij synon “zero problem me fqinjët” që do të thotë dhënie e kontributit për paqe dhe mirëqenie në Ballkan.

Gazetari: Kemi zgjedhjet pas pak ditësh në Maqedoni dhe ku faktori shqiptar vazhdon të jetë prapë më i përçarë se kurrë dhe dora e Tiranës pothuajse nuk ndihet atje.

“Sa i përket Maqedonisë, asnjëherë nuk kemi synuar ne që të fusim hundët në jetën e brendshme politike të atij vendi. Neve na duhet një Maqedoni sa më stabile, sa më demokratike dhe ku Marrëveshja e Ohrit, të cilën ne e kemi përfshirë në agjendën e NATO-s të jetë e zbatuar në frymë e në germë. Që do të thotë, patjetër në interes të shqiptarëve por edhe në interes të një Maqedonie që është shtëpia e përbashkët e maqedonasve dhe e shqiptarëve”, deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë./Alsat-M/