Para kuksinanëve socialistë kryeministri Edi Rama doli balltartë në takimin elektoral pasi siç tha ai po merr jetë premtimi 30 vjeçar i çdo fushate për ndërtimin e aeroportit të dytë ndërkombëtar dhe për më tepër me çmime më të lira se ai i Rinasit.

Edi Rama: Këtu ku ka filluar puna për ndërtimin e aeroportit të dytë ndërkombëtar të Shqipërisë, është një nga ato premtime që ju e keni dëgjuar gjithmonë sa herë ka pasur fushata elektorale. Ka këtu vajza dhe djem që kanë lindur me këtë premtim dhe janë bërë pothuajse 30 vjeç. Sot nuk është premtim por angazhim që po mbahet dhe shumë shpejt të gjithë ata që nga Kukësi janë larguar në emigracion, sidomos në Britaninë e Madhe, do të kenë mundësi të vinë dhe të kthehen këtu direkt nga Londra, në këtë aeroport që do të jetë aeroport i gjithë zonës verilindore duke përfshirë dhe pjesën në anën tjetër të kufirit. Shqipëria ka nevojë për një aeroport çmimesh të ulëta që do të jetë aeroporti i Kukësit.

Por teksa zgjedhjet po afrojnë, ai pati një paralajmërim për djemtë demokratë në këtë qytet dhe në mënyrë të veçantë ata që jetojnë në Londër dhe kanë ndërmend të kthehen për dielën për sherr.

Edi Rama: Meqë jemi në ditët e fundit të fushatës dua tu them djemve të Kukësit që janë me PD, janë në të drejtën e tyre të jenë me PD, janë në të drejtën e tyre të mos duan asnjë sekondë më shumë që qeveria të rrijë në këmbë, që unë të iki që sot, po do të iki në Tiranë. Pyetja ime është a ja vlen të humbin Anglinë për partinë. Për cilën parti? Për Lulin, Saliun, për Mulin, për Bashkimin? Për këta ju do të humbni të drejtën të dilni nga kufiri dhe të shkoni në Londër. Lërë pastaj nëse ka ndonjë që do të vijë nga Londra këtu për sherr ditën e dielë, do të ngelet këtu brenda.