Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se do të respektojë vullnetin e sovranit. Ai shpjegon edhe shkaqet pse gjatë fushatës doli hapur kundër Trumpit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë gjatë fushatës zgjedhore në SHBA-së hapur kundër presidentit të ri Donald Trump dhe ka mbështetur kandidaten demokrate Hillary Clinton. Rama ishte ndër të parët politikanë evropianë që doli kundër Trumpit. “Fitorja e Donald Trumpit do të jetë një kërcënim për vetë Amerikën, por edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Mos e dhashtë Zoti që të zgjidhet president”, ka thënë ai.

Ndërsa pas fitores së Donald Trumpit, kryeministri Edi Rama shkruan në rrjetin social se “populli amerikan bëri zgjedhjen e tij”. “Një mike e madhe e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, Hillary Clinton, nuk ia doli dot të bëhet presidentja e parë grua në historinë e Shteteve të Bashkuara. Donald Trump, u zgjodh Presidenti i dyzetepestë i SHBA. Kështu ka vendosur sovrani, pas një debati të pazakonshëm brenda dhe jashtë SHBA”, thotë Rama.

USA Wahlkampf Republikaner Donald Trump in Sarasota, Florida (Getty Images/C. Somodevilla)

Rama është i bindur se marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me SHBA “do të vijojnë të forcohen në funksion të vlerave e të interesave të përbashkëta, të cilat e bëjnë Shqipërinë nje mike e aleate të çmuar të popullit e të qeverisë amerikane”.

Rama ishte i prekur

Më pas në një konferencë për shtyp me rastin e prezantimit të Raportit të BE për progresin në Shqipëri, Rama shpjegoi se në kohën kur është prononcuar kundër Trumpit “ka qenë i prekur me deklaratat e tij për Kosovën dhe myslimanët… por sot Trump është zgjedhur nga sovrani për të udhëhequr SHBA-në. Respekti im dhe i popullit shqiptar për popullin amerikan, qeverinë dhe presidentin amerikan, nuk vihet në pyetje”.

Nuk dihet nëse presidenti i ri do t’i marrë parasyshë deklaratat e mëparshme të Ramës kundër tij, por edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati theksoi se “roli i SHBA është kyç për stabilitetin dhe demokracinë në këtë kënd të Europës”. Bushati theksoi se “Shqipëria dhe SHBA janë partnerë strategjikë”.