Liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Kryeministrat Edi Rama, Zoran Zaev dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq, zhvilluan sot një takim përmes një konference online për të rinovuar iniciativën e bashkëpunimit rajonal të nisur vitin e kaluar, njofton Telegrafi Maqedoni.

Aktivitetet e iniciativës së bashkëpunimit rajonal u shtynë për shkak të pandemisë me COVID-19 dhe zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, ndërsa të tre liderët ranë dakord se kriza theksoi nevojën për të intensifikuar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë dhe integrimin ekonomik rajonal.

Gjatë takimit online, Presidenti Vuçiq dhe Kryeministrat Rama dhe Zaev theksuan se kjo iniciativë është plotësisht në përputhje me Procesin e Berlinit dhe se është një bazë e mirë për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Sofje në nëntor në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili këtë vit bashkëkryesohet nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

Liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ranë dakord se është shumë e rëndësishme që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë në iniciativën e bashkëpunimit rajonal dhe në këtë drejtim sot zyrtarisht ftuan Kosovën të bashkohet me nismën dhe si rezultat i kornizës së vendosur në samitin në Uashington në shtator të këtij viti midis presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti.

Presidenti Vuçiq dhe kryeministrat Rama dhe Zaev gjithashtu ranë dakord për të formuar një grup pune të përhershëm të përfaqësuesve të të gjitha vendeve të iniciativës për të përshpejtuar zbatimin e aktiviteteve të rëna dakord brenda bashkëpunimit rajonal.