Fillimi i procesit të heqjeve të përmendoreve kontestuese të projektit “Shkupi 2014” është përshëndetur nga historianët shqiptarë të cilët kërkojnë që kjo procedurë të vazhdojë.

Historiani, Besnik Rameti, theksoi se projekti “Shkupi 2014” ishte projekt i gabuar që në fillim, andaj heqja e përmendoreve duhet të vazhdojë, pasi ka numër të madh të përmendoreve të cilat nuk meritojnë të jenë aty.

“Nuk do të thotë që të largohen të gjitha përmendoret, por të gjitha ato që janë pa ligj të vendosura dhe të gjitha ato që bëjnë probleme të etnoseve dhe religjioneve. Duhet shikuar të gjitha kulturat e popujve. “Shkupi 2014” është e tepruar me përmendore dhe ka shumë përmendore të cilat nuk e kanë vendin aty. Duke e ditur që Maqedonia është një shtet multietnik, të cilin e përbëjnë shumë popuj, si maqedonas, shqiptarë, vllahë, serbë, romë, turq, duhet të jetë e barabartë në këtë drejtim”, theksoi Besnik Rameti nga “Shoqata e Historianëve”.

Vanço Shehtanski, lider i partisë TMRO – aleate me VMRO-DPMNE-në, kërkon që njësoj si Qosen, kryetari i Shkupit të heq edhe shqiponjën në Çair, me pretendimin se ajo është e vendosur në mënyrë të paligjshme. Por Rameti përkujton që shqiponja simbolizon pikërisht barazinë e munguar të shqiptarëve në këtë shtet.

“Nuk është e ndershme që të hiqet, sepse “Shqiponja”, e cila është e vendosur në pjesën ku jetojnë vet shqiptarët, ajo është e vendosur posaçërisht për këto të drejta të shqiptarëve, që të jemi të barabartë”, tha Besnik Rameti nga “Shoqata e Historianëve”.

Pas Qoses, tani radhën e kanë të dislokohen përmendoret e Ushtarit mbi kalë në sheshin Maqedonia dhe përmendorja e Nënë Terezës, ndërtim i së cilës tashmë është stopuar.
Prej mbrëmë është dhënë mendimi edhe për përmendoren e Filipit të dytë, po diskutohet edhe për përmendoren para selisë së VMRO-së dhe do të kërkohet përgjegjësi edhe për fasadat e reja në qendër të Shkupit.