Bashkimi Demokratik për Integrim po has në probleme të shumta në organizimet partiake rreth zgjedhjeve të parakohshme. Pas Kumanovës ku u gjuajtën me gurë, krerët e BDI-së janë sharë në shumë vendbanime shqiptare, shkaku i mosmbushjes së premtimeve. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëm në fshatin Dollogozhdë të Strugës, ku siç mëson Portali Fol.mk, aktivistë të BDI-së së këtij fshati i kanë çuar “selam” Ramiz Merkos që të mos afrohet në Dollogozhdë. Merko ishte deputet në mandatin që kaloi, dy mandate kryetar komune në Strugë dhe që nga themelimi i BDI-së është kryetar dege dhe person kryesor i Ali Ahmetit në Strugë. Në takimin me banorët e Dollogozhdës, nuk u lejua Merko por veç Musa Xhaferi dhe disa aktivistë lokal. Sipas burimeve tona edhe Xhaferi nuk ka kaluar mirë në këtë takim, pasi një grup aktivistësh të revoltuar e kanë sulmuar ashpër duke i akuzuar si gënjeshtarë dhe njerëz që mendojnë vetëm për xhepat e vet. Musa Xhaferi është dashur të sqarojë para dollogozhdarëve edhe për aferën e përgjimeve ku ai ishte një ndër personat kryesorë.

© fol.mk