Korniza ligjore për lirinë e medias, pozicioni i gazetarëve në redaksi dhe siguria e gazetarëve, në vitin 2020 nuk ka ndryshime serioze në sferën e medias, por ka tendencë në rritje të sulmeve, pra situata e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të mediave nuk është përmirësuar për dallim nga viti paraprak 2019, por përkundrazi është përkeqësuar, thuhet në raportin vjetor të ShGM-së për treguesit e nivelit të lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, të përgatitur në kuadër të projektit Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor, financuar nga Komisioni Evropian, transmeton Portalb.mk.

Tutje në raport thuhet se në vitin 2020, kriza me pandeminë e shkaktuar nga virusi Kovid-19 përkeqësoi më tej situatën financiare të mediave për shkak të uljes së të ardhurave nga reklamat komerciale.

Në vitin 2020, vendi vërejti rritje në shkallën e Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 92-të nga 180 vende, tre vende më lart se në vitin 2019.

Në raportin për vitin 2020 shoqatat e gazetarëve ShGM, SPGPM, IMM dhe KEMM theksojnë fuqimisht kundërshtimin e tyre ndaj ndryshimeve të mundshme në nenin 102 të Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizive, të cilat do të lejonin reklamimin e institucioneve publike në media. ShGM, SPGPM, IMM dhe KEMM konsiderojnë se situata në industrinë e medias nuk duhet të kthehet në nivelin e katër ose më shumë viteve më parë, kur me fondet shtetërore, në mënyrë jotransparente, mediave u janë paguar shuma astronomike. Kjo praktikë, të cilën e kundërshtuam, u vlerësua si shembull i keq i ryshfetit shtetëror të mediave dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në media dhe rritjen e paragjykimit në raportimin e tyre.

Qëndrimi i SHGM-së është që reklamimi i paguar politik në mediat audiovizive duhet të shfuqizohet, pasi në atë mënyrë “blejnë”pronarët e mediave, ndikojnë negativisht në politikën editoriale të mediave. Për të kapërcyer këtë praktikë, nevojiten ndërhyrje si në Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive ashtu edhe në Kodin Zgjedhor.

Në këtë raport të vitit 2020 theksohet se reforma në servisin publik pothuajse nuk ka filluar fare, ndërsa pavarësia financiare dhe qëndrueshmëria servisit publik mbeten çështje e hapur.

Sipas statistikave të ShGM-së, që nga fillimi i vitit 2020, janë vërejtur gjithsej 14 sulme dhe kërcënime të ashpra kundër gazetarëve, nga të cilat më shumë se gjysma janë ndaj gazetareve femra. Për krahasim, vitin e kaluar kishte vetëm katër incidente të tilla, që do të thotë se këtë vit sulmet dhe kërcënimet janë tre herë më të larta.

Në dhjetor të vitit 2020, Gjykata Themelore civile në Shkup solli vendime me të cilat u pezulluan paditë e paraqitura nga gazetarët Natasha Stojanovska dhe Dushica Mërgja, të cilët kërkuan dëmshpërblim nga shteti për shkeljen e të drejtave të tyre gjatë ngjarjeve në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 27.04. 2017. Këto procese gjyqësore pasuan pas thirrjes paraprake të SHGM-së për të siguruar ndihmë juridike për gazetarët dhe punonjësit e medias të cilët u sulmuan ose u ishin shkatërruar pajisjet e tyre në Parlament gjatë asaj ngjarjeje të përgjakshme. Vendimet e tilla gjyqësore janë një tjetër provë se për gjykatën ka standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për politikanë dhe gazetarë.

Raporti vjetor mbi treguesit e shkallës së lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, i përgatitur në kuadër të projektit Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor, financuar nga Komisioni Evropian është përgatitur, korrigjuar dhe përkthyer në maqedonisht, shqip dhe anglisht.

Raportin vjetor mun ta shikoni në këtë link.