Të jesh trajner në futbollin shqiptar mund të konsiderohet si një punë“stinore”. Shumica e shikon veten të shkarkuar pas disa muajsh dhe pjesa tjetër të emëruar në mes të një edicioni futbollistik.

Kjo lidhet në mënyrë direkte me durimin e pakët që kanë presidentët e klubeve, të cilët i shoqërojnë largimet edhe me një kosto financiare. Sa u përket “strategëve” shqiptarë, bie në sy një numër i vogël emrash që qarkullojnë nga njëri klub te tjetri, duke nënkuptuar qoftë mungesën e promovimit të “zbulimeve” të reja, por edhe mbase prodhimin e pakët të tyre. 

Duke qëndruar pikërisht te ky profesion, në raportin e publikuar ditën
e djeshme nga UEFA, që përfshin analizën e sezonit 2014­2015, Shqipëria pozicionohet e katërta në Europë sa i përket përqindjes së ndryshimit të trajnerit nga një ekip futbolli. Vendi i parë ndahet midis Rumanisë dhe Turqisë, ku largimi i teknikut që ka filluar edicionin me skuadrën është 94% i sigurt, për t’u pasuar me Moldavinë (91%) dhe më pas Shqipërinë me 90%. Saktësisht, kjo nënkupton se vetëm njëri ka arritur të nisë dhe të mbyllë sezonin dhe ai ka qenë pikërisht Mirel Josa, që u shpall edhe kampion i Shqipërisë.
Duke iu referuar raportit që UEFA ka publikuar, saktësohet edhe që mosha mesatare e tyre, pavarësisht ndryshimeve të shpeshta, është llogaritur të jetë 44.4 vjeç.

Mesatarja e moshës së lojtarëve në futbollin shqiptar ka qenë 24.4vjeç, ndërsa e atyre të huaj ishte 24.1 vjeç. Në total, 20% esportistëve që kanë luajtur në Kategorinë Superiore ka qenë e përbërë nga futbollistë joshqiptarë, çka konsiderohet edhe një mesatare relativisht e ulët, krahasuar me kampionate të tjera të kontinentit që arrijnë deri në 50­-60%.
Rrogat
Një element shumë interesant në raportin e UEFA­s lidhet edhe me rrogat e futbollistëve përgjatë sezonit 2014­2015, duke iu referuarkontratave që ata kanë dorëzuar në federatë dhe që njëkohësisht njihen edhe nga organi drejtues i futbollit në kontinent. 

Kategoria Superiore ka një buxhet total pagash prej 3.4 milionë eurosh dhe me një mesatare prej 340 mijë eurosh për çdo ekip. Kjo shifër ka pasur një rritje nga vitiparaardhës prej 16%.

Në pozicionin europian, Shqipëria renditet e 42­ta, duke lënë pas vetes kampionate si: Moldavia, Estonia, Mali i Zi, Maqedonia, etj.
Pagesat e futbollistëve dhe stafit zënë afërsisht 49% të buxhetit të një klubi, që mund të cilësohet si një kuotë e pranueshme në logjikën e administrimit. Gjeorgjia ka bërë një përjashtim, pasi rrogat e sportistëve janë 105%, duke bërë që klubet të hyjnë në borxhe pikërisht prej buxhetit të pagave.

Në raportin e UEFA­s, një vend të rëndësishëm ka zënë edhe “fairplay” financiar, i cili lidhet me limitet që duhet të ruajnë klubet në raportin e shpenzimeve dhe arkëtimeve. UEFA ka vendosur rregulla të rrepta, në mënyrë që klubet të mos shtyjnë veten drejt falimentit, duke bërë shpenzime më të mëdha, sesa kanë të ardhura. Por, te
klubet shqiptare këto rregulla nuk praktikohen dhe në raportin e publikuar ditën e djeshme sqarohet edhe arsyeja.

“Klubet shqiptare nuk futen dot në rregullat e ‘fairplay’­t financiar pasi asnjë prej tyre nuk e kalon buxhetin vjetor në kuotën e 5 milionë eurove. Duke pasur buxhete të ulëta, UEFA nuk monitoron me imtësi në këtë aspekt. Gjithsesi, raportet e tyre financiare tregojnë se dalin me humbje, duke pasur më shumë shpenzime, se sasia e parave që arkëtojnë”, thuhej në këtë raport.