Një program dopingu-shtetëror i paprecedentë ka përfshirë edhe shërbimet sekrete ruse. Kështu del nga një raport i “McLaren”, i paraqitur në Londër dhe që do të përqendrohet kryesisht te Olimpiada dimërore e Soçit 2014. Nga viti 2011, janë më shumë se 1.000 sportistë rusë të përfshirë, mes tyre 12 kanë fituar medalje në Soçi, ku 4 prej tyre kanë marrë medalje të arta. Edhe pesë medaljerë të tjerë në “Londër 2012” janë nën shënjestër. Emrat e tyre nuk janë zbuluar.

Janë prezantuar në Londër, detajet e hetimit të nisur në korrikun e shkuar, që akuzon Rusinë se ka organizuar një “konspiracion institucional” të vërtetë, me ndihmën edhe të shërbimeve sekrete të vendit.

Më shumë se 1.000 sportistë rusë të specialiteteve olimpike verore, dimërore dhe para-olimpike, janë përfshirë apo janë mbështetur në nivel institucional për të fshehur testet pozitive ndaj substancave të ndaluara. Kjo del edhe nga një relacion i WADA-s, i prezantuar në një konferencë shtypi nga avokati kanadez, Richard McLaren. “Jemi në gjendje të konfirmojmë një sistem mbështetjeje që daton të paktën nga viti 2011 dhe që ka vazhduar edhe pas Lojërave Olimpike të Soçit, – ka shpjegua autori i raportit. – Ishte një sistem mbështetje që është zhvilluar nga një kaos i kontrolluar deri në një konspiracion të vërtetë institucional dhe të disiplinuar, që synonte të fitonte medalje”.

Raporti i WADA-s i paraqitur në Londër nga vetë avokati kanadez McLaren, ka vënë nën akuzë saktësisht 115 sportistë të 30 disiplinave të ndryshme, ku rezulton të jetë e përfshirë edhe skuadra e futbollit.

“Ka pasur një mbulim në të gjitha nivelet institucionale për të favorizuar vijimësinë e rezultateve të mira”, – ka shtuar profesori kanadez. Ka qenë e menjëhershme replika e Moskës përmes Mikhail Degtiariov, president i Komisionit të Sporteve të Dumës: “Për momentin nuk ka asgjë të re”, – ka minimizuar ai në një postim në “Twitter”.