Rastësi apo jo, gjithë krerët e shtetit jashtë Maqedonisë

Rastësi apo jo, gjithë krerët e shtetit ndodhen apo ndërkohë do të shkojnë jashtë Maqedonisë me detyrë zyrtare, bëhet e ditur në njoftimet zyrtare të institucioneve.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov po qëndron për vizitë pune në Baku, Republika e Azerbejxhanit, me rastin e pjesëmarrjes në Forumin global Baku 5, në organizim të qendrës ndërkombëtare “Nizami Ganxhavi.

Gjatë vizitës së punës, është paraparë që presidenti Ivanov të realizojë takim bilateral me presidentin e Azerbejxhanit, Ilham Alijev, si dhe shumë takime bilaterale me pjesëmarrësit në forum, theksohet në kumtesë që u publikua nga MIA.

Ndërkaq, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Emil Dimitriev po merr pjesë në mbledhjen e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që sot mbahet në Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Poposki sot do të qëndrojë në Vjenë, ku do të mbajë fjalim në seancën e Këshillit aktual të Organizatës së Sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropë.Siç njoftoi MPJ-ja, gjatë vizitës u parashikua që ministri Poposki të realizojë takim bilateral me kolegun e tij austriak, ministrin e Punëve të Jashtme, Sebastian Kurc.

Vizitat po bëhen në kohën kur Maqedonia ndodhet në krizë të thellë politike, dhe kur Parlamenti ende nuk ka një kryetar të zgjedhur legjitim, derisa kryeministri që ushtron këtë detyrë nuk ka një mandat të rregullt dhe njëkohësisht është zgjedhur edhe deputet në përbërjen e re parlamentare.