Pala mbrojtëse në lëndën e Almir Aliut kërkoi largimin e Prokurores së lëndës, Suzana Kusigerska. Avokatët e familjes Aliu kërkesën për largimin e Kusigerskës e bazojnë në faktin që në akuzë nuk është përfshirë vëllai i të akuzuarit, nga seanca kryesore deri në seancën tjetër kanë kaluar mbi 90 ditë pas çka Kodi Penal parasheh rigjykim të rastit si dhe nuk janë pranuar dëshmitarët e propozuar nga pala e dëmtuar. Deri në miratimin e kësaj kërkese, pala e dëmtuar do të bojkotojë seancat gjyqësore.
Kërkova të largohet Prokurorja me qëllim që kjo lëndë të marrë epilog të drejtë në gjykimin e dytë. Kjo Prokurore, sipas meje dhe ndihmësit tim është e njëanshme dhe vepron si mbrojtëse e të akuzuarit Boban Iliç dhe jo si Prokurore Publike, ashtu siç para shikon ligji. Prandaj duhet të largohet dhe të emërohet Prokuror i ri për këtë lëndë – u shpreh Asmir Alispahiç, Avokat i familjes Aliu.
Të akuzuarit për dhunë, përfshirë edhe prindi i të ndjerit Almir Aliut, presin që Prokurorja Kusigerska të vetë-tërhiqet nga lënda.
Ne presim që Prokurorja të jep dorëheqje me vet dëshirë. Edhe vëllai i tij shihet se si ka ushtruar dhunë. Për këtë rast kërkojmë të hiqet kjo Prokurore pasi që në akuzë nuk e ka përfshirë vëllain e të akuzuarit i cili ka ushtruar dhunë ndaj nesh – tha Sedat Aliu, Prind i Almir Aliut.
Në rast se kërkesa për largimin e Prokurores Kusigerska nuk pranohet, mbrojta e familjes Aliu do të kërkojë që Prokuroria Themelore e Kumanovës të tërhiqet nga lënda dhe akuzën ta përfaqësojë organ tjetër. Kërkesa e palës së dëmtuar vjen pas tentativave për rikualifikim të lëndës nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”. Pas paralajmërimeve të tilla, avokatët e familjes Aliu kërkuan nga Prokuroria e Lartë të prononcohet mbi tentativën për rikualifikim. Kjo e fundit kërkesën e adresoi në Prokurorinë Republikane ku edhe në kolegjin e mbajtur, prokurorët u ndanë në baza etnike. Respektivisht, 4 Prokurorët shqiptarë u mbi-votuan nga kolegët e tyre maqedonas me 6 vota pro rikualifikimit. Ky mbi-votim i Republikanes pro rikualifikimit të lëndës nxiti protesta. Familjarët dhe qytetarët kërkuan që Prokurorët, siç u shprehën ata, mos ta vrasin Almir Aliun për herë të dytë.
Për vrasjen e Almir Aliut akuzohet Boban Iliç, ndërsa për dhunë ndaj të akuzuarit dhe vëllait tij Bojan Iliç akuzohen Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë, pas një zënkë paraprake mes familjarëve të Almirit dhe të akuzuarit Boban Iliç i cili shtypi me makinë 4 vjeçarin nga Kumanova dhe prindërit e tij. Në rast se deri më 25 qershor 2018 rasti nuk merr epilog gjyqësorë, të akuzuarit Boban Iliç i skadon afati i paraburgimit prej 2 vitesh dhe do të mundet të akuzohet në liri.