Unë nuk jam terrorist, unë kam edukim ushtarak dhe kulturë shqiptari, e cila më mëson që ta luftoj terrorizmin. Kështu ka deklaruar para trupit gjykues Genc Sefaj, njëri nga të akuzuarit për rastin  e Kumanovës. Sefaj deklaroi se më 26 prill është njoftuar nga Mirsad Ndrecajt se i është bërë ftesë nga Maqedonia që të mobilizojë një njësi, i cila do të dilte me një deklaratë publike me kërkesa për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

 “Qëllimi ka qenë të dalim publikisht me kumtesë në emër të UÇK-së. Kemi dashur të organizojmë dalje publike me kërkesa të qarta, para medieve- opinionit. Kemi dashur të tërheqim vëmendjen e shtetit ndaj kërkesave të shqiptarëve”, ka thënë Genc Sefaj.

I akuzuari Genc Sefaj deklaroi se kumtesa duhej të përpilohej nga dikush në Maqedoni, por pasi ajo u vonua, atëherë më 8 maj grupi e ka përpiluar vetë atë. Mirsadi e mori përsipër ta dërgojë kumtesën, por nuk dihet pse ajo nuk u publikua.

Sipas Sefajt, në kumtesë kërkonin ridefinimin e statusit shtetformues të shqiptarëve, zyrtarizimin e gjuhës shqipe, ndërprerja e gjuhës së urrejtjes, ndërprerja e rasteve të montuara dhe zbardhja e tyre. I akuzuari Genc Sefaj dëshmoi se kanë tentuar disa herë që me ndërmjetësim të OSBE-së të ndalohet zjarri, por kjo kishte kundër-efekt tek policia.

 “Kur për herë të parë u ndërpre zjarri u vra me snajper Fatlum Vishesella. Vërtetohet edhe në përgjime se, ishte pabesi. Për një kohë prap na është kërkuar ndalja e zjarrit, Xhafer Zymberi ishte pozicionuar dhe po fliste për ndërprerjen e zjarrit, edhe Xhaferi është qëlluar në atë moment me snajper nga ambulanca që është përballë lagjes”, ka shtuar ai.

Sipas Sefajt, nëse policia kishte aplikuar procedurë standarde operative, do këtë kishte më pak humbje. Avokatja e të akuzuarit Genci Serfaj, Artene Ademi Iseini, deklaroi se shpjegimi nga ana e Gencit dëshmon se policia nuk ka respektuar aspak normat operative dhe ky proces nuk do të përfundojë në gjykatat e Maqedonisë.

“Sigurisht që ky proces gjyqësor nuk do të përfundon në bankat gjyqësore të Maqedonisë, duke marrë parasysh se Genc Sefa është ushtarak dhe është ekspert i këtyre çështjeve ai na sqaroi në mënyrë të detajizuar se policia nuk i ka respektuar asnjëherë normat minimale të veprimit e aq më pak konventat ndërkombëtare”, ka thënë Artene Ademi Iseini, avokate.

Ai akuzuari tjetër Enver Hoxhaj është tërhequr nga dëshmia, për shkak të mosbesimit që ka shprehur tek prokuroria dhe gjykatat në vend.

Mefail Ismaili /SHENJA/