I punësuari në Agjencinë për Zbulim Shenasi Memedi,  dhe këshilltari i Çairit Bekir Asani do të thirren si dëshmitarë. Kjo me kërkesë të avokatit të të akuzuarit Nasuf Bekiri, Elenko Millanov i cili tha se këta persona kanë njohuri për ngjarjen. Së bashku me ta do të thirret edhe Sulejman Osmani për të cilin ka proces të veçantë gjyqësor pasi gjoja ka njohuri për takimin e liderëve të grupit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj me agjentë të shërbimit sekret. Për të qartësuar se si ka mundësi që të akuzarit të jenë transprortuar me makinë ambulance nga fshatrat e Likovës deri në Lagjen e Trimave, do të thirret edhe drejtori i spitalit të Kumanovës Arif Latifi.

Avokati Mefail Arsllani kërkoi që të thirret edhe prokurori shtetëror i Kosovës Aleksandër Lumeza ose të paktën të dorëzojë raportin me gjetjet që kanë dalur pas hetimit për këtë grup në Kosovë në mënyrë që të bëhet krahasimi me veprat e grupit pas hyrjes në Maqedoni.  Kjo duke u bazuar në një konferencë për media të cilën Lumeza e kishte mbajtur pas ngjarjeve në Kumanove dhe ku kishte konfirmuar se ky grup ka qenë  nën hetime edhe në Kosovë.

U kërkua edhe dëshmia e administratorit të Kullës Policore në Gushincë me emrin Dalibor Peshiç, për të treguar saktë se sa armë ka patur në kullë para sulmit dhe pas sulmit.

Përpos tyre avokati Elenko Millanov propozoi të thirren mbi 70 qytetar të cilët kanë komunikuar me numrat që kanë qenë pre e përgjimit të prokurorisë për të vërtetuar se a janë të akuzuarit pronarët e numrave që janë përgjuar apo ato i ka shfrytëzuar dikush tjetër.

U kërkuan edhe disa ekspretë mjeko-ligjor, forenzikë që kanë bërë ekspertizat e gjurmëve nga të shtënat dhe baruti në trupin e të akuzuarve për të sqaruar se si është analizuar drejtimi i shtënies me armë dhe si janë gjetur gjurmët e barutit.

Si propozim doli edhe dëshmia e nipit të Beg Rizajt, Urim Hasanai i cili ka qenë prezent në takimin mes të akuzuarit Mirsad Qerimi dhe Begut, ku është fol për ofrimin e shërbimeve informatike por Qerimit nuk i është treguar se ku dhe çfarë shërbimet do të jep. Avokatja e tij Snezhana madje ofroi që të kontrollohet në Prokurorinë e Kosovës fakti se ndaj tij janë ndërprerë hetimet në mungesë të lidhshmërisë me grupin. Edhe avokatët e Arsim Bajramit dhe Besnik Ajdinit ofruan prova me të cilat klientët e tyre shrpesojnë të lirohet nga akuzat për lidhshmëri me grupin dhe veprime terroriste.

Por edhe prokuroria në fillim të seancës prezantoi inçizim nga fillimi i luftimeve me të cilat synon të dëshmojë se policia e ka paralajmëruar grupin kur ka hyrë në Lagjen e Trimave e jo siç thonë avokatët mbrojtës, se policia i ka zënë në prite dhe ika sulmuar pa paralajmërim.

“Gjykata bëri prezantimin e një video incizimi të propozuar nga ana e prokurorisë. Video incizimi nuk qartëson dilemat as nga ana e Prokurorisë, as nga ana e të akuzuarve, përkundrazi shton dyshimin se kjo video është e shkurtuar, e montuar dhe nuk i përmban elementet kryesore për tu parë gjendja faktike e rastit të Kumanovës. Nëse gjykata e pranon këtë provë, atëherë do të kërkojmë ekspertizë për autenticitetin e këtij incizimi”, ka deklaruar Artene Iseini, avokate .

Gazetarët nuk u lejuan të hyjnë në sallë gjatë prezantimit të inçizimit pasi përbënte provë të siguruar me masa të veçanta hetimi të prokurorisë./SHENJA/

 

AlbPorta