Naser Raufi, avokati mbrojtës në rastin “Lagjja e Trimave- Kumanovë, ekskluzivisht për Lajm TV ka zbardhur një moment rreth ngjarjes që nuk është publikuar deri më tani në opinion. Raufi zbulon se në mesin e të vrarëve në Kumanovë është vrarë një person me uniformë të UÇK-së, të cilin asnjë prej të akuzuarve nuk e njeh. Sipas Raufit, me siguri ndonjëri prej atyre që u vranë e kanë njohur personin, i cili ka ndërruar jetë me uniformë të UÇK-së.

“Mund të them që është një moment që neve si avokat na detyron që ta përpunojmë rastin deri në fund është për shembull, rasti i një i personi që është në fotografi, është i vdekur, por asnjë prej të akuzuarve nuk e njeh se kush është. Është për t’u habitur se si askush nuk e njehë këtë person. Është fotografuar si i vrarë në Lagjen e Trimave, por askush nga pjesëtarët e grupit nuk e njeh. Ka gjasa që dikush prej të ndjerëve ta kishte njohur këtë person. Faktikisht ka pasur 19 viktima. Ne si avokat jemi habitur se si askush nuk po e identifikon edhe pse mbante uniformë të UÇK-së”, ka theksuar në intervistën e tij për Lajm TV avokati Raufi.

Ai thotë se Prokuroria dhe Policia nuk e kanë komentuar këtë moment.

“Është një enigmë, që besoj se ne do ta sqarojmë”, ishte decid Raudi.

Raufi ka folur edhe për rrjedhën e deritanishme të procesit gjyqësor.

“Deri tani kemi pasur 60 seanca. Dinamika është përforcuar. Me këtë dinamikë, deri ka muaji i 6-të do të kryhet. Përndryshe jemi në stadiumin ku dëshmojnë të akuzuarit. Deri tani kanë dëshmuar 7-të të akuzuar. Prej këtyre dëshmive, tashmë edhe nis të zbardhet ky rast. Zbardhet në atë drejtim, si kam thënë edhe më parë, si rast i shërbimit sekret. Këto të akuzuar kanë qenë me një skenar të Shërbimit sekret, jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të një shërbimi tjetër. Këtë mund ta konstatojmë nga dëshmitë e të akuzuarve. Presim që në seancat e radhës të zbardhen edhe më shumë momente për këtë që e konstatoj. Kemi plan, që të gjithë avokatët të bëjmë një listë të përbashkët me dëshmitë dhe provat tona për këtë rast. Ky moment do të jetë pas deklaratave të të akuzuarve”, tha për Lajm TV, avokati Raufi.

Në pyetjen gazetareske se çka nëse konstatohet se shërbimet kanë qenë të përfshira, a shkon kjo në favor të të akuzuarve?

Raufi me përgjigje: Do të jetë në favor të të akuzuarve. Nëse argumentojmë këtë, përgjegjësia ulet edhe dënimet do të jenë më të buta. Do të vërtetohet se organizatorët janë tjerë dhe jo siç pretendon Prokuroria, se organizatorë janë disa prej të akuzuarve dhe të ndjerët Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj.

E dimë se materiali i Prokurorisë është voluminoz. Ka ankesa nga disa të akuzuar se disa pjesë po fshihen?

Raufi: Këtë moment mundëm ta vërtetojmë edhe nga dëshmia e fundit e Shefqet Kallaçit, i cili ka kontaktuar me anë të telefonit me politikanë dhe OSBE. I njëjti tha se disa telefonata nuk janë komplet. Sidomos, kur OSBE kontakton me Gordana Jankullovskën, aso kohe ministre për Punë të Brendshme. Nga këtu mund të konstatojmë që MPB nuk ka pasur vullnet për armëpushim.

Cila është tendenca e fshehjes së materialeve dhe sa juve si mbrojtje ju pengon?

Raufi: Tendenca është të mos identifikohet organizatori i ngjarjes. Është zgjedhur material që i konvenon vetëm prokurorisë. Është e qartë se dikush tjetër e ka organizuar këtë rast. Mendoj se është shërbimi sekret dhe këtë punë do ta vërtetojmë.

A mendoni se këto materiale, që nuk i keni tash, do t’i keni ndonjë ditë të gjitha në dispozicion?

Raufi: Me këtë Prokurori që kemi nuk besoj. Por, shpresoj, se këto materiale do t’i marrim vetëm nëse Prokuroria Speciale Publike merr këtë rast. Në këtë mënyrë do ta kemi më lehtë edhe ne si mbrojtje.

Prej një ditë pas ngjarjeve të Kumanovës, dyshohet se disa nga grupi janë likuiduar pasi janë dorëzuar. Ka ndonjë moment të ri në këtë drejtim, që mohon ose vërteton këto dyshime?

Raufi: Kallaçi në dëshminë e tij tregon se ka parë Mirsad Ndrecaj të gjallë në stacionin policor në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, jo vetëm ky, por edhe të tjerë e kanë parë. Edhe nga dëshmia e Sulejman Osmanit, të cilin e mbrojë unë, do të vërtetohet se edhe ky e ka parë të ndjerin Mirsad Ndrecaj, praktikisht janë dorëzuar bashkë. Nga dëshmia e Kallaçit u pa se edhe Beg Rizën e ka parë dhe ia ka dëgjuar zërin, kur ka bërtit UÇK. Beg Rizaj është pa në vendin e ngjarjes gjatë dorëzimit, vetëm një muri i ka ndarë, ndërkaq Mirsadin në stacion policor e ka parë.

A mund të ketë kthesë ne procesin gjyqësorë, nëse dëshmohet se këto pjesëtar të grupit janë ekzekutuar pasi që janë arrestuar?

Raufi: Ky moment do të reflektojë në vet skenarin e këtij rasti. Edhe likuidimi, sipas meje, është bërë të mos të identifikohet organizatori i këtij rasti.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.