LSDM-ja reagon ashpër ndaj liderit të VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski për intervistën e tij të fundit në të cilën tha se në periudhën e LSDM-së shqiptarët kanë qenë të shtypur. Nga partia e Zaevit thonë se është VMRO DPMNE-ja ajo e cila ka bërë ndarjen ndëretnike në Maqedoni. Kjo sipas LSDM-së ishte njëra ndër arsyet që qytetarët në zgjedhjet e 11 dhjetorit qytetarët votuan për ndryshim. Në BDI nuk deshën të komentojnë intervistën e Gruevskit, por shkurt thanë se kohërat kanë ndryshuar dhe se shqiptarët në Maqedoni i dalin zot vet kauzës së tyre. Nga Lëvizja Besa thanë se krime kundër shqiptarëve ka pasur edhe në kohën e LSDM-së dhe atë të VMRO DPMNE-së

“Është e vërtetë se edhe në të kaluarën LSDM-ja ka qenë shumë antishqiptare dhe ne nuk e kemi harruar këtë. Por nuk i kemi harruar as viktimat shqiptare të kohës së Gruevskit. Shqiptarët e rastit së “Sopotit” dhe “Monstra” ende vuajnë si pasojë e qëndrimit antishqiptarë dhe Gruevskit dhe VMRO-së. Ne edhe më tej mbetemi në qëndrimin tonë se deklarata të tilla nga ana e Gruevskit dhe VMRO-së nuk na bëjnë aspak përshtypje dhe nuk na bëjnë ta ndërrojmë qëndrimin tonë ndaj lidershipit antishqiptar të VMRO-së dhe Nikolla Gruevskit”, u shpreh Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Për “Aleancën për Shqiptarët” fjalori i Nikolla Gruevskit është ngacmues dhe ofendues për shqiptarët dhe kujtuan rastet e hapura kundër shqiptarëve në kohën kur VMRO – DPMNE-ja ishte në qeveri.

“Aksionet policore, tërheqja zvarrë e shqiptarëve, fjalori i tyre barbar ndaj shqiptarëve, proceset e montuara politike, Monstra, gërmadhat e Lagjes së Trimave në Kumanovë, ngulfatja e perspektivës Euro Atlantike, janë shembulli më i keq i këtij ish kryeministri që duke dashur të bëhet ikonë e maqedonasve u shëndrua në lugat politik ndaj shqiptarëve”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ish kryeministri dhe lideri i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski në intervistë për portalin “republika.mk” tha se VMRO DPMNE nuk është parti shoviniste, ndërsa për vete thotë se nuk është nacionalist dhe nuk punon kundër shqiptarëve. Ai akuzoi LSDM-në se ka burgosur dhe diskriminuar shqiptarët ndërsa tha se ai po bën të kundërtën./Alsat-M