Moska Zyrtare përmes ka reaguar përmes ambasadës në SHkup ndaj intervistës së kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, për radion malazeze “Antena-M”, ku foli edhe për reagimet që do të vinin nga Rusia në rast se Maqedonia bëhet anëtare e NATO-s.

“Në Rusi gjithmonë i përcjellin me kujdes paraqitjet publike të funksionarëve të lartë të vendeve tjera, e posaçërisht ato që i tangojnë raportet me vendin tonë. Gjithsesi nuk mbeti e pavërejtur edhe intervista e paradokohshme e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për radion malazeze “Antena-M” nga 5 nëntori i këtij viti. Me habi dhe brengosje theksojmë se në këtë intervistë, në kontekst të ngjarjeve të vitit të kaluar në Mal të Zi, shefi i qeverisë maqedonase, duke u thirrur në disa “raporte” dhe “analistë”, me dashje apo pa dashje, e paraqiti situatën në atë mënyrë se Federata Ruse gjoja qenka e përzier në tentime për “likuidim” dhe paska përgatitur aksione të tilla kundër vetë zotëri Zoran Zaevit. Kategorikisht deklarojmë se pohimet e tilla janë të pabaza dhe i konsiderojmë të palejueshme. Me keqardhje konstatojmë se ato e rrënojnë atmosferën e besimit mes dy vendeve tona, dhe shkaktojnë dëm ndaj bashkëpunimit të ndërsjellë shumëvjeçar dhe të dobishëm dhe janë në kundërshtim me përcaktimin e deklaruar nga ana e Shkupit për ndërtim të bashkëpunimit konstruktiv me Rusinë dhe dëshirën për zhvillim të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse në Maqedoni.