Real Madridi është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve për këtë edicion. Madrilenët biletën për finalen e Kievit e siguruan në saje të fitores së arritur si mysafir kundër Bayernit në Munih, pasi në ndeshjen e kthimit barazuan 2:2 para tifozëve të vet, në një ndeshje drithëruese, ku bavarezët patën shumë raste shënimi.

Goli i parë erdhi pas vetëm tre minutave nga ana e mysafirëve që shënuan me anë të Joshua Kimmich. Por, madrilenët reaguan pas vetëm tetë minutave, me golin e shënuar nga Karim Benzema, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Ndërkohë, me të filluar pjesa e dytë Benzema e gjeti sërish golin, duke e shfrytëzuar një gabim amatoresk të portierit Sven Ulreich, për ta kaluar Realin në epërsi, 2:1. Megjithatë, bavarezët vazhduan me lojë të mirë dhe në minutën e 63-të barazuan shifrat me golin e James Rodriguez, i cili në shenjë respekti për ish skuadrën nuk e festoi golin. Në minutat e mbetura Bayerni vazhdimisht bëri presion në portën e Navasit, por nuk arritën të shënojnë golin e fitores, i cili do t’ia mundësonte kualifikimin në finale.
Kësisoj, Real Madrid për të tretin vit radhazi prek finalen e Ligës së Kampionëve, derisa në dy vitet e kaluara edhe ka arritur t’i gëzohet trofeut.