Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti sot do të presin në takim përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.
Telegrafi mëson se takimi do të zhvillohet në ora 12:00.
Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian në Kosovë.
Siç merr vesh Telegrafi, temë e diskutimit do të jetë lejimi i organizimit të referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.
Presioni në lidhje me lejimin për organizim të këtij referendumi është rritur sidomos sot kur shtetet e QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lejoj OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës siç ishte praktikuar më herët në procese zgjedhore.
Megjithëse presioni për Qeverinë e Kosovës që të lejojë këtë referendum ka ardhur edhe nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës është treguar e prerë në këtë çështje.
Nga Qeveria kanë thënë gjatë të premtes se “Serbët në Kosovë që kanë dyshtetësi mund të jenë pjesëmarrës në këtë referendum nëpërmjet votimin me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë”.