Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në kuadër të reformave në shëndetësi paralajmëroi se nuk do të ketë nga dy drejtorë nëpër klinika, një praktikë që funksion nga viti 2006 si pjesë e reformave të Qeverisë së VMRO-DPMNE. Taravari thotë se do të largojë drejtorët ekonomik, ndërsa do të jenë vetëm drejtorët që janë pjesë e stafit mjekësor, njofton TV 21.

“Nuk ka nevojë për dy drejtorë, sepse punën e tillë e kryejnë administratorët. Nuk kemi para për luks. Paratë që deri tani janë dhënë për këta drejtor do të jenë shpërblime për 3 – 4 mjekë më të mirë në çdo klinikë”, u shpreh Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.

Nga BDI theksojnë se duhet të ketë marrëveshje paraprake mes partnerëve të koalicionit që të ndryshohet ligji për realizimin e kësaj mase si pjesë e reformave. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani thotë se gjatë kohës që ka qenë ministër i shëndetësisë ka hequr drejtorët ekonomik nga gjitha spitalet me më pak se 1000 të punësuar, por për një vendim të ri për heqjen e tyre të plotë, ai thekson se duhet një analizë .

Për atë se ku do të përfundojnë drejtorët ekonomik të spitalit shtetëror Nënë Tereza, ende nuk dihet.

Kryeministri Zoran Zaev në ekspozenë e tij para votimit në Kuvend tha se ministrat janë ata që kanë përgjegjësi dhe duhet të propozojnë reforma.

“Ministri nuk është i emëruar që ta pyes kryeministrin por të propozojë zgjidhje. Unë në këtë mënyrë pres që të punojmë”, tha Zoran Zaev, kryeministër i R.M.