Në një shitore të vogël përballë stacionit kryesor hekurudhor në Selanik grupe të emigrantëve pinë çaj dhe përpiqen që t’i mbushin telefonat celular. Në dy vitet e fundit dyqani-biznes familjar të cilin e udhëheqin Evangelija Karanikolas dhe burri i saj-u shndërrua në vendtubim të shumë emigrantëve dhe refugjatëve të cilët janë duke u përpjekur nga e ashtuquajtura Rruga e Ballkanit të arrijnë në Evropën veriore. Karanikolas ju ofron shfrytëzim të energjisë elektrike pa pagesë dhe të tualetit njerëzve të cilët e kalojnë natën në anën tjetër të sheshit dhe në ndërtesat e braktisura. Ju jep dhe ushqim falas kur ka mundësi, ndërsa disa familjeve edhe vend të ngrohtë për të fjetur, kur moti është shumë i ftohtë. Për këtë shkak, shumë emigrantë e quajnë “Mami”. Sot, pavarësisht mbylljes së kufirit me Maqedoninë, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Ndoshta numri i emigrantëve dhe refugjatëve është më i ulët, por ata ende vijnë dhe shkojnë.  “Ata përpiqen të gjejnë një mënyrë për të shkuar”, thotë Karanikolas. Shumica e emigrantëve në dyqan na thanë se kërkojnë mënyrë për t’u larguar nga Greqia.

 

Në mesin e refugjatëve ka nga ata që thonë se janë “turistë”. Një nga ata, Sharif (emri është ndryshuar) për DW tha se kishte ardhur disa ditë në qytet. Disa orë më vonë e pamë aty pranë në ndërtesën e braktisur duke folur me anëtarë të një familje nga Afganistani. Emigrantë të tjerë na thanë se familja kohën e fundit ka tentuar të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, por u zbuluan nga policia e Maqedonisë. Tani kërkojnë rrugë tjetër. Edhe pse thotë se është turist, Sharif më shumë sillet si kontrabandist. Pas mbylljes së rrugës, emigrantët dhe refugjatët përpiqen të kalojnë përmes kanaleve ilegale, duke kaluar pa u vënë re nga ana e autoriteteve dhe duke ua mbushur valixhen me të holla kontrabandistëve. “Mendoj se është në rritje”, thotë një zyrtar i lartë i policisë.

“Pas mbylljes të itinerarit ballkanik ka pasur një periudhë ndërprerjeje, por tani prapë është në rritje. Ekzistojnë organizata aktive dhe ekzistojnë njerëz të cilët duan të jenë të kontrabanduar. Kjo është ligj i ofertës dhe kërkesës”. Askush nuk e di numrin e saktë të njerëzve që kanë qenë të kontrabanduar me sukses nga Greqia. Sipas raportit të autoriteteve evropiane të imigracionit, rreth 13 mijë emigrantë dhe refugjatë të regjistruar në Greqi konsiderohen si të zhdukur. Në të njejtin raport thuhet se rreth 500 persona në javë kalojnë kufirin verior me Maqedoninë. Sipas policisë, rruga e kontrabandistëve nga Selaniku deri në Beograd kushton mes 800 dhe 1.300 euro për njeri. Nevojiten 1.500 euro shtesë  për të arritur në Gjermani. Shpesh herë të hollat nuk i paguajnë emigrantët, por familjet e tyre nëpërmjet rrjeteve të organizuara nëpër më shumë vende. Policia thotë se operacionet e kontrabandës janë të organizuara nga rrjete kriminale të cilat nuk e kanë strukturë piramidale të organizatave klasike mafioze, por janë të organizuar lirshëm. Edhe pse kjo e lehtëson infiltrimin në grup, në të njejtën kohë mundëson të plotësohet shpejtë hapësira e zbrazët gjatë ndonjë arrestimi apo bastisje.

Sipas ekspertëve, Evropa asnjëherë nuk mund të shndërrohet në “fortesë” dhe 100 për qind t’i ndalojë emigrantët. Angeliki Dimitriadi nga Fondacioni për Politika të jashtme “Eliamep” thotë se zgjidhja më e thjeshtë është të formohet rrugë legale, e cila do të zvogëlojë nevojën për të përdorur shërbimet e trafikantëve dhe bandave kriminale. Aktivitetet kriminale kërcënojnë sigurinë e Evropës. Këto rrjete nëntokësore të cilat financohen nga lëvizja e emigrantëve mund të përdoret edhe nga grupet kriminale apo terroriste. “Ngjarjet në Paris treguan se këto rrjete mund të përdoret për infiltrimin e terroristëve”, thotë zyrtari i policisë për DW. “Gjithmonë është më e sigurt në qoftë se e dimë kush vjen”, thotë Dimitriadi. “Për të ditur kush vjen, më mirë është të zgjedhim kush do jenë. Pse mos ta legalizojmë? Mund të dimë se kush vjen. Do të jetë më sigurt dhe do të përfitojnë të gjithë”, thotë ai. Por, mungesa e interesit nga Evropa për krijimin e rrugëve ligjore për migracion, loja e maces dhe miut mes policisë dhe kontrabandistëve grek do të vazhdojë, ndërsa emigrantët do të mbeten viktimat kryesore.