“Regjistri i popullsisë” nuk është zëvendësim për regjistrimin e popullsisë, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski pas miratimit të djeshëm të vendimit për përgatitjen e “Regjistrit të popullsisë”.

“Me këtë mjet mund të bëhet regjistrim elektronik, por kjo nuk përjashton mundësinë për bërjen e regjistrimit të popullsisë në formën e saj standarde. Kjo nuk është zëvendësim për regjistrimin, por regjistër me qëllim plotësisht tjetër”, tha Boshnjakovski.

Boshnjakovski sqaron se ky proekt duhet të mundësojë qasje më të thjeshtë deri te të gjitha informatat shërbyese në më shumë institucione të shtetit, si në MPB, kadastër dhe të tjera, gjegjësisht të mundësojë krijimin e regjistrit qendror elektronik të vendit.

Shtetet anëtare të BE-së bëjnë regjistrime paralele të popullsisë, atë në formën standarde dhe regjistrin e shfrytëzojnë për verifikim të të dhënave dhe ky mjet që në të ardhmen do të jetë plotësisht funksional, e ka atë mundësi. Nëse shteti do të vendosë ta përdorë atë si një lloj vërtetimi për rezultatet e arritura në regjistrim standard mbetet të bisedohet në të ardhmen, tha Boshnjakovski.