Në Shqipëri, Koronavirusi po përhapet me ritme të shpejta, duke shënuar ditët e fundit rekord pas rekordi, me nivelet e larta të rasteve të reja. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur sot se janë rregjistruar 1007 raste të reja.

Një ditë më parë ishin 942 të infektuarit rishtazi, ndërsa numri i testimeve ka qenë thuajse në të njejtat kuota, mbi 3800 tamponë. Për pasojë, pozitiviteti në 24 orët e fundit u ngjit në nivelin e 26.1 përqind, nga 24.4 përqind që ishte një ditë më parë.

Pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) është treguesi i transmetueshmërisë së vurist në komunitet.

Rastet e reja u zbuluan në 50 bashki të vendit: 289 raste në Tiranë, 76 raste në Fier, 72 në Lushnje, 54 në Durrës, 51 në Vlorë, 48 në Elbasan, 32 në Shkodër, 28 në Kavajë, 25 në Lezhë, 24 në Mallakastër, 23 në Kamëz, 20 në Krujë, nga 19 raste në Kurbin, Korçë, 18 në Sarandë, 16 në Kukës, 15 në Gjirokastër, nga 14 raste në Berat, Malësi e Madhe, 12 në Divjakë, nga 11 raste në Mat, Kuçovë, 9 në Pogradec, 8 në Gramsh, nga 7 raste në Përmet, Delvinë, nga 6 raste në Librazhd, Tepelenë, Prrenjas, Himarë, Shijak, nga 5 raste në Ura Vajgurore, Dibër, Skrapar, Patos, 4 në Fushë Arrëz, nga 3 raste në Has, Mirditë, Bulqizë, Peqin, Memaliaj, Cerrik, nga 2 raste në Vau i Dejës, Kolonjë, Poliçan, Dropull, Konispol, nga 1 rast në Devoll, Pukë, Rrogozhinë.

Sa i përket situatës në spitale, ajo ka mbetur thuajse e pandryshuar, me 404 të shtruar dhe me një ulje të numrit të pacientëve që janë në gjendje kritike. Deri pasditen e së martës në terapi intensive gjendeshin 15 të shtruar, ndërsa 6 të tjerë të intubuar.

Ministria njoftoi se në 24 orët e fundit, kishin humbur jetën 6 qytetarë: 3 qytetare nga Tirana, 1 qytetare nga Elbasani, 1 qytetar nga Tepelana, dhe 1 qytetar nga Fieri, të moshave 49 -92 vjeç.

Që nga fillimi i pandemisë Shqipëria numëron 80.941 raste, nga të cilat 30.579 janë ende aktive, ndërsa janë 1.404 qytetarë që kanë humbur jetën në spitalet COVID./VOA