Ministre e Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e re është Renata Treneska-Deskoska, e lindur në vitin 1972 në Shkup. Ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin Juridik në kuadër të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa ka doktoruar në Fakultetin Juridik në Lubjanë në vitin 2002.
Nga viti 1995 deri në vitin 1998 ka qenë demonstratore në Fakultetin Juridik në Shkup, ku në vitin 1999 punësohet si asistente, ndërsa në vitin 2012 është zgjedhur profesoreshë e rregullt në sferën e të drejtës kushtetuese dhe sistemit politik.
Është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në zgjedhjet e vitit 2014 dhe në vitin 2016 është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga shtatori i vitit 2015 deri në dhjetor të vitit 2016. Nga shtatori i vitit 2015 është shefe e delegacionit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Është anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe komisioneve ad hok të APKE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Bullgari dhe në zgjedhjet presidenciale në Serbi të cilat janë mbajtur këtë vit.
Me propozimin e Komisionit të Venecies, Treneska-Deskoska në vitin 2012 është zgjedhur anëtar i Panelit ligjdhënës të ekspertëve për lirinë e besimit të ODIHR, ka qenë anëtare në grupin punues për përgatitjen e Strategjisë nacionale për integrimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian (2003), ndërsa nga viti 2004 deri në vitin 2009 ka qenë këshilltar për çështje juridike në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë.
Në karrierën e saj profesionale numërohen edhe praktika në Gjykatën për të drejta të njeriut në Strasburg (1998), qëndrim për studime në Universitetin në Ajdaho, SHBA (2001), ka marrë pjesë në konferenca dhe seminare jashtë vendit. Treneska-Deskoska është autore edhe e punimeve nga sfera e drejtësisë dhe shkencave politike të publikuara në gjuhën angleze dhe e librave dhe publikimeve në gjuhën maqedonase.