Nga: Muhamed HALILI

Para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë kryetari serb Vuçiq pat deklaruar se gjëja më e papreferueshme për të do të ishte poqese pas zgjedhjeve në një tryezë të ardhëshme të dialogut para tij do të gjindej Albin Kurti, një “nacionalist më ekstremist” që në jetën e saj kishte parë gjykatësja serbe Danica Marinkoviq.

 

Kaloi pak kohë e ndodhi paradoksi. Fitorja e Albin Kurtit, një Marathonomaku sypatrembur, duket se më tepër i frikësoi deri në tmerr disa politikanë dhe analista shqiptarë qoftë në Kosovë e Shqipëri se sa vet Vuçiqin dhe politikanët serb. Fët e fët këtej e përtej kufirit u organizuan intervista e debate, tryeza të rrumbullakta e tryeza katrore të mësojmë se vallë çka mendon ky Marathonomak i ri i cili tërë jetën e tij ia kushtoi dashurisë për Kosovën, ta realizojë dëshirën e tij dhe që pas fitores në zgjedhje të mos fokusohet të ushtrojë pushtet por të bëjë shtet.

 

Dhe, erdhi Marathonomaku pas një vrapi të gjatë, plot djersë në fytyrë dhe energji fizike e shpirtërore: unë jam kryeministri i Kosovës, shpalli ai. Analistët filluan besedat e tyre: Unë do të Ju tregojë se çfarë ka thënë Albini për bashkimin kombëtar para 10 vitesh, thot njëri, kurse tjetri citon: nuk ka dialog me Serbinë tha Albini para nio muaji, para tre vitesh e shau Edi Ramën, kurse tash si do të veprojë?; 

 

Rrinte me bomba në brez në Parlamentin e Kosovës si Isa Boletini me koburen e tij në Angli, i krisi bombat dhe tym e zjarr parlamenti, i rrëzonte kamionat me mall serbi në hendek. Për këto veprime e shijoi edhe “lezetin” e burgut “demokratik” të Kosovës sepse ai famëkeqi i Pozharevcit nuk i mjaftoi. Ngeli Kryengritës.  Tash si do të veprojë: a duhet ti kërkojë falje Edi Ramës, një politikani joserioz i cili filloi të jetë i dëmshëm në aspektin politik, a do të bisedojë me Vuçiq? Të parën jo se jo, por të dytën vetë thotë se po. Por ai do ta udhëheq atë lojë e jo të shkruar nga të tjerët.

                   

Duket se Marathonomaku ynë ka aq shumë për të bërë sa që një pesëdhjet vjeç nuk do ti mjaftonte e jo më një mandat qeveritar qoftë ai edhe katër vite. Unë nuk e dij se çka nuk mund të bëjë Albini, por e dij dhe jam tepër i bindur se çka, me siguri, do ta bëjë: jo ndarje Kosovës. Kjo do të mjaftonte për një mandat në planin e jashtëm. Ai e ka kuptuar fare mirë se bashkimi kombëtar nuk është një ide që ai e ka lindur dhe as që mbaron me te. Me kohë janë rradhitur shumë burra me mustaqe dhe xhamadane që nga kohët e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Derrallës e deri në kohët e Nënë Terezës e Ibrahim Rugovës. Por ai bashkim një ditë me siguri do të bëhet dhe pak e rëndësishme është a do ta bëjë Albini. Këtë nuk arritën as Sinn Fein e as Gerry Adams ta bëjnë sot e kësaj dite me Irlandën e Veriut. Por ideja frymëzon dhe shpërndahet dhe koha plagë shërron. Dkush do ta shijojë.

 

Por, Albini e di se çka mund të bëjë dhe patjetër duhet ta bëjë: ta çlirojë shtein e kapur nga hajnat, nga budallallëku; që njerëzit dhe portalet të mos e kenë temë bisede fustanin swarovski të zonjës së parë, shumat marramendëse në euro për një natë hoteli në Zvicër sepse duket qesharake dhe përbuzëse që njerëzit që dikur kanë ngrënë për drekë përshesh me dhallë të përzier me ujë të ngjiten majave të xhet setit botëror me parat e fukarave shqiptarë.

 

Pikërisht në këtë sintagmë të fundit të tij klasa politike kosovare dështoi krejtësisht. Dikur në seancat e OKB-së rezolutat amerikane për Kosovën votoheshin gati me 

konsenzus të përbashkët kurse tash madje edhe njohjet e bëra nga shtetet e ndryshme pakësohen në mungesë të vizionit se si duhet zhvilluar politika e jashtme. 

 

Rasti i emrimit të Bexhet Pacollit për zavendëskryeministër dhe ministër i jashtëm tregoi se nuk mjafton që dikush të jetë miliarder me para dhe po aq i sukseshëm në politikë. Diplomacia e tij e dollarit me të cilën ai, përflitet, se siguroi njohjen e disa shteteve të korruptuara të Afrikës, Azisë dhe Atlantikut nuk i tregoi rezultatet e duhura. Kosova filloi të mbetet e vetmuar, pa përkrahje nga jashtë, pa ide, pa koncept zhvillimor dhe në pamundësi të gjejë një reçetë se si ti kundërvihet diplomacisë agresive serbe udhëhequr nga Daçiq dhe Vuçiq persona jo me ndonjë kapacitet të posaçëm diplomatik. Qeveria e ardhëshme e LDK-së me përvojë dhe dije politike e ekonomike dhe e Vëtëvendosjes me rini, aftësi dhe vrull prej entuziastësh e krijuesish do të eci rrugës plot therra të deritashme por do të duhet të përpiqet ta bëjë asfaltimin e saj. 

 

Nuk është mirë të citoj kundërshtarin politik Vuçiq por nga goja e tij ndonjëherë del nga një e vërtetë: mos shëtitni korridoreve të OKB-së për të takuar ndonjë burrështetas për ti thënë nja dy llafe për Kosovën por hapni ambasada. Nga gjithsejt 33 marrëveshtje të nënshkruara me Shqipërinë në njerën flitet edhe për ambasada të përbashkëta, që e kanë bërë edhe shumë vende evropiane. Vini në funksion e jo vetëm në letër marrëveshtjet bilaterale. Leni anash çka ka thënë dikur Albini por shihni çka do dhe duhet të bëjë. Zgjidhnji përfaqsues të denjë intelektualë e politikë nëpër ambasada e jo kryesisht partiakë.

 

Sukseset e të rinjëve kosovar në vendet e zhvilluara të perëndimit në 

fushën e sporteve, muzikës, biznesit tregonin se ky popull ka energji të madhe krijuese por shteti nuk mund të ngrejë kokë prej hajdutëve politikë të cilët me vite jetuan dhe vepruan jashta vendlindjes së tyre, dikush me adresë e dikush pa adresë (siç ua kishte ëndja të prezentohen)abuzuan me fondet kombëtare dhe që më në fund të meren edhe me likuidimet e figurave meritore kombëtare. Kosova kurrë nuk e kishte ëndërruar që udhëheqsit e  saj , njerëz që mezi kishin para për të blerë një sanduiç, një ditë do tu vërsulen si hiena begative shtetërore dhe ndërtojnë saraje përallore dhe kështu një numër i madh i kosovarëve sot të shpalosin kontejnerët çdo mëngjez për të siguruar një copë bukë si në Legjendën e misrit të Migjenit.

 

Kjo e solli Albinin në qeversije dhe kjo do ta mbajë. Në të kundërtën Albini mund të jetë vetëm një epizod i përsëritur i një filmi pafund. Rent, or Marathonomak!