Bana Alabed, 7-vjeçarja siriane që shkruante në “Twitter” në lidhje me jetën brenda enklavës së rebelëve në lindje të Aleppos, është takuar këtë të mërkurë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Bana dhe vëllai i saj i vogël janë fotografuar të ulur në gjunjtë e Erdoganit, në kompleksin presidencial turk në Ankara.

Erdogan ka dërguar një përfaqësues special në Siri për të marrë Banën dhe familjen e saj, pasi këta të fundit arritën të largoheshin nga lindja e Aleppos. Gjendja e vështirë e Banës doli në dritë pasi ajo mundi të hapte një llogari në “Twitter” në muajin shtator.

Në llogarinë e saj kishte nga të gjitha, nga vdekjet e miqve të saj e deri te përpjekja për të jetuar një jetë normale. Përgjatë këtyre muajve, ajo siguroi më shumë se 325 mijë ndjekës, përfshi edhe J.K. Roëling, e cila i dërgoi asaj një kopje elektronike të sagës “Harry Potter” për t’i lexuar.

Të mërkurën, Bana publikoi edhe foton e saj me presidentin Erdogan, të shoqëruar edhe më nënshkrimin se ishte “tepër e gëzuar” që takohej me atë, ndërkohë që në një video të shkurtër falënderonte të gjithë ata që mbështetën fëmijët në Aleppo, si dhe ndihmuan atë të largohej nga lufta.

Nëna e Banës, Fatemah, e cila drejtonte llogarinë në “Twitter” vendosi ta hapte diçka të tillë për t’i treguar botës “sesa po vuanin fëmijët nga bombardimet dhe gjithçka tjetër ndodhte në Aleppo”.

Gjatë javëve të fundit, apelimet për ndihmë nga Bana dhe nëna e saj u bënë tepër të shpeshta, ndërsa forcat besnike të presidentit sirian, Bashar al-Assad nisën të rrethonin rajonin lindor të kontrolluar prej rebelëve, që njëkohësisht bombardohej nga qielli nga avionët sirianë dhe rusë.