Shkruan: Zeqirija Ibrahimi
Edhe kur njeriu dëshiron të heshtë se është Ramazan dhe duhet të vetëpërmbahemi,
Edhe kur dëshiron të manifestosh dashamirësi në shenjë të bashkëpunimit brendaqeveritar për interesa strategjike dhe kombëtare,
Edhe kur dëshiron të shprehësh mirëkuptim se bëhet fjalë për një synim madhor, siç është anëtarësimi në NATO, ta nxjerrin me zor.
Ndonëse nuk besoj se ne atë parti nuk ka mbetur njeri që di dhe që ka guxim të shpjegojë, madje disa të tillë edhe unë i njoh, ndjehem si ai populli që u desh t’i thotë mbretit se “ka veshje të bukur”, ndërsa mbreti ishte krejt cullak ose lakuriq.
Është e vërtetë se anëtarësimi në NATO, po aq sa është interes shtetëror, aq më shumë është interes shqiptar dhe këtu nuk kemi asnjë dilemë.
Është e vërtetë po ashtu se shqiptarët dëshirojnë të zgjidhet sa më shpejt problemi i emrit dhe prandaj janë në gjendje t’i mbyllin sytë edhe nëse diçka nuk u pëlqen, por vetëm të bëhet anëtarësimi në NATO.
Është e vërtetë po ashtu se shqiptarët edhe nuk i pyet kush si do të quhet Maqedonia, ndonëse ata nuk reshtin së foluri.
Por, t’u thuhet shqiptarëve se “Ilindenska” shqip është “Ilinditase”, kjo është pak më keq se kur na thoshin se luani është simbol shqiptar.
Në Maqedoni ka boll gjuhëtarë që e dinë se emrat e përveçëm nuk përkthehen. Rrjedhimisht, Makedonski Brod nuk bëhet Anija Maqedonase, siç nuk bëhet Bogdanci në Zotdanci. Komike apo?! Epo kështu i ngjan përkthimi i Ilindenit me Ilinditë. Ata që e kanë bërë këtë duhet ta dinë se nëse një emërtim nuk ekziston në gojën e popullit, nuk ka folës që e quajnë ashtu, emrat e përveçëm mbeten në origjinal, por vetëm përshtaten në strukturën gjuhësore të shqipes. Në këtë mënyrë, përkthimi më i mirë dhe më i saktë do të ishte “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, ndërsa nëse insistimi është që “Republika” dhe “Maqedonia” të mos qëndrojnë pranë njëri-tjetrit dhe “Ilindenska” të përkthehet si mbiemër ndërmjet këtyre dy fjalëve, atëherë përkthimi mund të ishte “Republika Ilindenase e Maqedonisë”. Është e vërtetë se “Ilinden” është e formuar nga “Ilija – Shën Ilija” dhe “den – ditë”, por emrat e përveçëm nuk përkthehen. Mundësia e vetme që ky mbiemër të shqipërohej është nëse ortodoksët shqiptarë e përdorin këtë në traditën e tyre ortodokse shqiptare. Sipas asaj që gjeta unë, ata e quajnë diku Shën Ilinë me Shëndëlli. Por, tashmë jam i bindur se as kjo nuk do të shkonte në këtë rast, sepse kryengritja që është bërë më 2 gusht 1903 tashmë e ka marrë emrin “Kryengritja e Ilindenit” dhe kjo tanimë është shkëputur nga festat e Shën Ilisë dhe është bërë emër i përveçëm. Ekzistojnë shembuj të panumërt shkencorë që e dëshmojnë këtë. Fjala bie, kështu Zhelina do të duhet të bëhej Dëshira, Çellopeku – Ballishta, ndërsa Artani maqedonisht të bëhej Zllatan e Bujari të bëhej Blagoroden. Nuk shkon!
Le që shqiptarët nuk e kanë diskutuar mirë dhe nuk kanë rënë në ujdi për pjesëmarrjen e tyre në kryengritjen e Ilindenit, kjo për shkak se askush në këtë vend nuk çan kokën të mbështesë studime të thelluara historike.
Sidoqoftë, me gjithë lajmin e keq se grekët e kanë refuzuar këtë emër, sepse kështu pengohet përsëri anëtarësimi në NATO, duhet të jemi të lumtur që nuk u pranua ai emër, sepse do të bëheshim gazi i botës. E kisha drojën se pastaj do të dilte ndonjë “etimolog” që të na dëshmojë se “Linditase” vjen nga fjala ilire “lind dhe ditë”, që është bërë “i lind ditët”, ndërsa dikush tjetër do të dilte ta bënte ndonjë shpjegim edhe “më të thellë” se “Linditase” është e lidhur me “BDItase”, kjo sipas shqipes së Mesharit të Gjon Buzuku (atij versionit që e ka shkruar vetë Buzuku, e jo atij të Barletit )
Ky është fati në fatkeqësi. Injoranca nuk është anonime. Ajo e ka emrin “Linditase”.