Shkruan  Abdulla Mehmeti

Ata që aktualisht janë faktorë në skenën politike, ata që duan të merren me çështjen e shqiptarëve në Maqedoni, si dhe ata që duan t’i trajtojnë zhvillimet politike të këtë vend, së pari duhet t’i dinë këto fakte:

I. Përmes referendumit për shkëputjen e Maqedonisë nga ish federata jugosllave dhe shpalljen e pavarësisë së këtij shteti, i cili u mbajt më 8 shtator 1991, qytetarët e këtij vendi u manipuluan përmes pyetjes së referendumit, me këtë përmbajtje: ,,A jeni për pavarësinë e Maqedonisë shtet sovran, me të drejtë bashkëngjitje në të ardhmen në një lidhje (bashkim, federatë) të shteteve sovrane të Jugosllavisë? Përmbajtja e këtillë e pyetjes së referendumit për pavarësinë e Maqedonisë, e ndarë në dy pjesë, me alternativë të dyshimtë, sigurisht ka qenë arsyeja që institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që nuk e kanë pranuar asnjëherë këtë shtet me emrin e tij kushtetues, por si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

II. Po ashtu, kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, të sjellë më 17 nëntor 1991, si dhe me ndryshimet dhe plotësimet e saj në vitin 2001, bashkësitë etnike serbe dhe bullgare nuk përmenden në këtë kushtetutë, krahas bashkësive të tjera etnike, shqiptarët, turqit, romët dhe vllehët, duke pasur parasysh alternativën e hapur dhe mundësitë që mund të krijoheshin për bashkëngjitjen e këtij shteti me shtete të tjera. Kjo ka qenë strategjia e përhershme e politikanëve të këtij vendi, të cilët, herë kanë anuar nga interesat serbe, e herë nga ato bullgare, kurse viteve të fundit janë përpjekur maksimalisht edhe për krijimin e identitetit të ri të popullit maqedonas, si popull ,,jo sllav”, mbështetur në të kaluarën e largët të Maqedonisë antike.

III. Shqiptarët në Maqedoni unanimisht e kanë bojkotuar referendumin për pavarësinë e Maqedonisë, të 8 shtatorit 1991, duke mos dashur të mbeten edhe më tej nën tutelë të njëjtë me popujt dhe shtetet jugosllave, prandaj, përmes subjekteve të tyre politike e organizuan referendumin për Autonomi politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, i cili u mbajt më 11 dhe 12 janar 1992, vetëm 4 muaj pas referendumit për pavarësinë gjysmake të Maqedonisë, në të cilin morën pjesë, nga gjithsej 383.539 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote, 360.928 prej tyre u deklaruan PËR këtë formë të organizimit politik dhe shtetëror të shqiptarëve në Maqedoni.

Në bazë të dokumenteve nga organet e kësaj Autonomie, parashihej formimi i njësisë së veçantë autonome të shqiptarëve në Maqedoni, e cila më vonë u quajt Republika e Iliridës, e cila për shkak të rrethanave të luftës në hapësirat e ish republikave jugosllave, në mungesë të përkrahjes së duhur nga Republika e Shqipërisë dhe faktori ndërkombëtar, si dhe e ngulfatur nga disa politikanë shqiptarë të asaj kohe, vasalë të UDB-së jugosllave, mbeti vetëm si kapital politik me vlerë të jashtëzakonshme për shqiptarët në Maqedoni.

Kjo është një arsye më tepër, që nuk u jep të drejtë subjekteve politike të shqiptarëve në këtë shtet, në asnjë rrethanë e me asnjë kusht ta pranojnë statusin e pakicës kombëtare për shqiptarët, siç është definuar në kushtetutën aktuale, por të angazhohen me këmbëngulje deri në sakrificë për avancimin e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve, popull konstituiv në Republikën e Maqedonisë. Sidoqoftë, edhe ky është një kompromis i palës shqiptare, i cili duhet të kuptohet drejtë nga pala joshqiptare, në këto rrethana të tronditjeve të mëdha në Evropë dhe më gjerë, të mos u hapet rrugë alternativave të tjera për zgjidhjen e drejtë dhe të natyrshme të çështjes shqiptare, të cilat do t’i kushtonin shtrenjtë këtij shteti me stabilitet të brishtë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëjetesës tradicionale mes popujve të këtij shteti, të cilët rrethanat historike i kanë detyruar të jetojnë pranë njëri tjetrit, si dhe paqes e sigurisë në rajon.