Maqedonia po i kalon ditët më të ftohta nga fillimi i dimrit. Minus 28 gradë janë matur pardje në Berovë, ndërsa -21 gradë mëngjesin e sotëm në Mavrovë. Për nesër sinoptikët gjithashtu paralajmërojnë temperatura të ulëta dhe reshje të reja të borës në tërë vendin.

Sipas sinoptikut Boris Sekirarski nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike e Maqedonisë periudha e reshjeve më intensive të borës do të fillojë gjatë natës së sotme dhe pastaj gjatë së martës do të vazhdojë i ftohti dhe temperaturat do të jenë nën zeron.

Mjekët thonë se temperaturat e ulëta të cilat e kapluan vendin ndikojnë në shëndetin e qytetarëve, sidomos tek të sëmurët kronikë.

“Këtu më shumë pëson sistemi kardiovaskular, personat me diabet, si dhe ata me sëmundje reumatike. Tani më shpesh paraqiten pacientë të cilët kanë rënë në akull, kanë rrëshqitur dhe janë mavijosur ose kanë lëndime në ekstremitetet”, tha Savo Trakoviq, specialist ftiziatër nga “Alo-mjek”.

Mjekët këshillojnë që gjatë kësaj periudhe të merren shumë lëngje dhe vitamina që të përforcohet organizmi, që të mund të luftohet kundër temperaturave të ulëta. Rekomandohet të mos qëndrohet në hapësira të mbyllura për një periudhë më të gjatë ku ka shumë njerëz, qytetarët të mbrohen nga gripi i cili sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, për një javë ka prekur 9.485 qytetarë, me çka arriti aktivitetin më të madh gjatë 10 viteve të fundit, me përjashtim të sezonit pandemik të vitit 2009./Alsat-M/