Të reshurat e fundit në Pollog shtuan kokëdhimbjet për banorët e Reçicës, Porojit dhe të Shipkovicës, vendbanime të cilët në të kaluarën më së shumti janë goditur nga vërshimet. Pas vërshimeve, autoritetet kthejnë rrugët në gjendje normale, por nuk ajo që i shqetëson banorët është mos zgjidhja afatgjatë e problemit.

“Rreziku sërish është këtu. Neve rrugën na e ndreqen po pak po u shtunë reshjet ujërat do dalin bekatonat sërish. Ishte kreu i komunës, kishte projekt por tha se kushton 600 000 euro s’ka, sepse duhet të bëhet shtrati i lumit. Problemi është i njëjtë sërish ka rrezik nga vërshimet”, tha një banor.

“Si të them nuk ka pas shumë ujë, po si s`kemi frikë, kemi frikë se kemi rrezik gjithnjë. Kanali duhet të bëhet këtu, fillimisht kanali pastaj rruga të bëhet. Se kjo nuk është zgjidhje, ata lart janë në rrezik sërish”, u shpreh një banor.

E njëjta gjë ndodh edhe në pikat tjera kritike, siç është ura mes fshatrave Shipkovicë e Brodec. Vërshimet e fundit, mbushën shtratin e këtij lumi ndërsa bllokuan edhe rrugën.

Problemi nuk qëndron vetëm tek institucionet, por edhe tek një pjesë e banorëve. Investimet kundër vërshimeve në pjesën e epërme të Shipkovicës nga Zvicra dhe UNDP-ja, nxorën në pah një sërë anomalish, si, prerja e pakontrolluar e pyjeve dhe hedhja e mbetjeve përgjatë shtratit të lumit. Kjo gjë shqetësoi madje edhe Ambasadoren e Zvicrës, Ulman.

“Zgjidhja është shumë komplekse dhe e vështirë, por gjetja e balancit të duhur me natyrën mund të jetë një përgjigje për mbrojtje, sidomos përmes aktiviteteve me mbjelljen e druve e të rinj dhe pyllëzimit mund të jetë një parandalim për vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut për mbrojtjen e jetëve tona dhe atyre që u humbën në vitin 2015. Në duhet të kemi më shumë pemë dhe më shumë kujdes për të mirën tonë dhe të mirën e natyrës” tha Veronik Ulman. Ambasadore e Zvicrës.

“E njëjta gjë ndodhi edhe me lumin mes fshatit Shipkovicë dhe Brodec. Edhe pse gjoja se u pastrua lumi, me të reshurat e para u bllokua sërish dhe solli gjithë këta gurë. Ndërsa paralajmërimin që së fundmi e bëri ambasadorja e shtetit Zviceran këtu në Shipkovicë, porosinë që, vet të kujdesemi për natyrën dhe të mos hedhim mbetje sepse rrezikojnë vërshime dhe rrëshqitje të dheut, si duket ka hasur në veshë të shurdhër”

Komuna dhe Ministria e Ekologjisë premtuan vendosjen e kontejnerëve dhe largimin e mbetjeve inerte, por një aksion i këtillë konkret në shtretërit e lumenjve, as që ka filluar. Për pasojë, lumenjtë duken më shumë si varreza makinash, mobiliesh dhe lodrash për fëmijë se sa shtretër të bukur lumenjsh./Alsat.mk/