Revizioni i Komunës së Tetovës ka bërë një inspektim në gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejcinoviq”, ku ka konstatuar një sërë shkeljesh financiare që kanë dëmtuar buxhetin e shkollës dhe kanë penguar mbarëvajtjen normale të procesit edukativo-arsimor. Ndërkohë Këshilli i Shkollës ka njoftuar kryetarin e komunës për shkarkimin e drejtoreshës, Teuta Llalla.

“Duke u bazuar ne Raportin e Revizionit Komuna e Tetovës, duke marrë parasysh nenin 93 te Ligjit të Arsimit të Mesëm është e obliguare që këtë raport t’ia dorëzojë Këshillit të Shkollës së Mesme të gjimnazit “Kiril Pejcinoviq”, si organ më i lartë në atë institucion që ta shqyrtoje raportin e revizionit. Sipas raportit në fjalë gjatë procedurave janë konstatuar shkelje të shumta financiare që kanë dëmtuar buxhetin e shkollës dhe kanë penguar mbarëvajtjen normale të procesit edukativo-arsimor.
Këshilli i Shkollës ka te drejte ligjore që të thërras urgjentisht mbledhje, i cili ka shqyrtuar raportin e revizionit dhe pas konstatimit për shkelje të shumta ka të drejtë të propozojë shkarkimin e drejtorit dhe për këtë e njofton kryetarin e Komunës së Tetovës.
Pas arritjes se propozimit te Këshillit të Gjimnazit me NR 03-201/1 të datës 11.05.2022 kryetari veproi në bazë të dispozitave ligjore, që për bazë ka propozimin e Këshillit të Shkollës.
Gjithashtu përmes avokatit, komuna ka iniciuar një procedurë për të konstatuar shkeljet ligjore që janë bërë nga drejtoresha”, thuhet në raport.