Vërejtje seioze, respektivisht shkelje ligjore hasim në raportin e Entit Shtetëror për Revizion të Maqedonisë për Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, për Ministrinë e Ekonomisë, për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në atë për Ministrinë e Financave, zbulon Portalb.mk. Ministrat kanë lejuar shfrytëzim të veturave zyrtare për nevoja të panjohura, parregullsi në shfrytëzimin e telefonave, udhëtimeve dhe shërbimeve hotelerike si dhe kan lidhur kontrata kundërligjore.
Deri më tani nuk ka reaguar asnjë organ kompetent për ngritje të procedurave pas raporteve të revizionit, deputetët madje as kanë diskutuar për to në Parlament. Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit, Prokuroria Publike e RM-së dhe Ministria e Punëve të Brendshme të gjitha kanë heshtur zbulon Portalb.mkRasti është dërguar në Prokurori vetëm për ministrin e  Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi dhe atë pas presionit medial që u bë në opinion.

 

 Ministria e Ekonomisë, parregullsi në shfrytëzimin e telefonave, udhëtimeve dhe shërbimeve hotelerike

Sipas raportit të Revizorit për Ministrinë e ekonomisë, është vërtetuar kalim i shumave të lejuara të shfrytëzimit të telefonave celularë, edhe atë gjithsej 702 000 den. Kjo është në kundërshtim me pikën 9 të Udhëzimit për shfrytëzim të telefonave celularë, njofton Portalb.mk.

Ministria në vitin 2014 ka paguar 4 709 000 den. për angazhim të 18 personave me kontratë, për të cilët ndër tjerash nuk ka dorëzuar fare raport që do të vërtetonte se vërtetë personat kanë kryer punë cilësore dhe në kohë.

Ka harxhuar 613 000 den për objekte hotelerie (hotele, restorane) pa treguar llojin dhe qëllimin për të cilin është kryer shërbimi, që është në kundërshtim me Nenin 12 të Udhëzimit për shfrytëzim të mjeteve buxhetore të dedikuara për përfaqësim.

Për udhëtim janë shpenzuar 246 000 den. për çka nuk janë dorëzuar dokumente vërtetuese (vërtetim për udhëtim zyrtar jashtë vendit, fatura fiskale etj).

Nuk ekziston dokument që vërteton harxhimin e 217 000 den për servisim të automjeteve dhe shërbimeve të hotelierisë.
Ministër ishte Bekim Neziri.

Ministria e Punëve të Jashtme, parregullsi në lidhjen e kontratave

Sipas raportit për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Revizioni konstatoi se në vitin 2014 personi përgjegjës për parregullsi nuk ka dorëzuar raporte tre-mujore deri tek Njësia në Drejtorinë për politikë financiare, për ekzistimin/mos-ekzistimin e parregullsive dhe dyshimeve për mashtrim apo korrupsion gjatë shfrytëzimit të parave publike. Kjo është në kundërshtim me Nenin 12 të Rregullores për procedurën për parandalimin e parregullsive, mënyrës së bashkëpunimit, formës, përmbajtjes, afateve dhe mënyrës së njoftimit për parregullsitë.

Megjithatë, sipas raportit janë vërejtur parregullsi të ndryshme në 70% prej kontratave të lidhura, edhe atë:
nuk janë dorëzuar dëshmi për publikimin në kohë të procedurave të prokurimeve publike ashtu siç është e parashikuar me Rregulloren;
nuk janë lidhur kontratat me ofertën më të volitshme teknike dhe financiare, që nuk është në pajtim me Nenin 165 të Ligjit për prokurime publike dhe Pikën 1 të Rregullores;
dosjet nuk i përmbajnë të gjitha dokumentet e parashikuara, të njëjtat ruhen ndaras, respektivisht në shtesë nuk janë ofertat e operatorëve ekonomikë, deklaratat për mos-ekzistencën e konfliktit të interesave, shpalljet në Gazetën zyrtare, që nuk janë në pajtim me Nenin 173 të Ligjit për prokurime publike.
Ministër ishte Nikolla Poposki.

Ministria e Financave, parregullsi në lidhjen e kontratave dhe regjistrimin e mjeteve

Sipas raportit për Ministrinë e Financave, në procedurën e prokurimeve publike për ndërtim, të realizuar në vitin 2013 është konstatuar se në dokumentacionin e tenderit si kriter për vërtetimin e veprimtarisë profesionale, përveç Modelit të dokumentit për veprimtarinë e regjistruar (DVR) për marrje me punë ndërtimore, është kërkuar edhe licencë “A”, edhe pse sipas Ligjit për prokurime publike për vërtetimin e veprimtarisë profesionale është i nevojshëm vetëm Modeli DVR. Pas vëzhgimit të procedurës është konstatuar se një nga grupi i ofertuesve dorëzoi licencë “A”, ndërsa një tjetër vërtetim nga Ministria e transportit dhe lidhjeve në pajtim me Ligjin për ndërtim.

Regjistrimi i mjeteve materiale dhe jo-materiale është kryer me anë të lexuesit bar kod, kurse mjetet që nuk kanë lexues bar kod, nga ana e komisionit regjistrues janë evidentuar vetëm me të dhënat për sasinë e tyre, por jo edhe me të dhëna për vlerën e këtyre mjeteve. Në regjistrim janë përfshirë edhe mjete që nuk kanë qenë të evidentuara në kontabilitet, por jo dhe investimet e mëtejshme.

Sipas raportit, ministria poashtu shfrytëzoi disa objekte, për të cilat nuk ka dorëzuar dokumentet e nevojshme.
Ministër ishte Zoran Stavrevski.

Ministria e Ambientit Jetësor, parregullsi në shfrytëzimin e lëndëve djegëse

Ashtu që, sipas raportit të Revizorit për Ministrinë e ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor për vitin 2014 janë konstatuar parregullsi në mënyrën e shfrytëzimit të lëndëve djegëse nga ana e shfrytëzuesve të automjeteve zyrtare, për shkak të mungesës së limitit për harxhim të së njëjtës. Gjithashtu nuk është themeluar praktikë e listës së punës për shfrytëzim të automjeteve zyrtare, që nuk është në pajtim me dispozitat e Rregullores për kushtet, mënyrën dhe procedurën për shfrytëzim të veturave zyrtare të Ministrisë.
Ministër ishte Nurhan Izairi.

Çfarë bënë institucionet pas publikimit të raporteve?

Sipas web-faqes zyrtare të Entit Shtetëror për Revizion, Enti duhet të ketë bashkëpunim të rëndësishëm me Parlamentin, së cilës ia dorëzon Parlamentit raportet vjetore për shqyrtim për çka Parlamenti sjell konkluzione. Dhe poashtu ia dorëzon edhe raportet përfundimtare, siç janë edhe raportet e përmendura më lartë.

Portalb kontaktoi me përfaqësues për të kuptuar nëse vërejtjet e Entit kanë inicuar masa në Parlament, ose kanë hasur në “vesh të shurdhër”.

Ish-deputeti, anëtar në Komisionin për financa dhe buxhet, Bekim Fazliu,  për Portalb u shpreh: Ka pasur debate, por në fund janë mbivotuar nga ana e shumicës parlamentare. Shpesh herë Parlamenti i ka vonuar këto, duke mos i vendosur në rend dite.”

Ndërsa këshilltari i Parlamentit për marërdhënie me publikun, Todor Pendarov sqaroi për Portalb se Parlamenti është i obliguar ta vendos në rend  dite raportin vjetor për punën e Entit Shtetëror të Revizionit, rreth të cilit deputetët debatojnë. Por Parlamenti nuk është i detyruar që në rend dite t’i vendos raportet e veçanta që Revizioni i publikon pas kontrollit në ndonjë institucion tjetër shtetëror. Sipas tij, as deputetët nuk kanë kërkuar një gjë të tillë.

 “Raporti vjetor për punën e Entit Shtetëror për Revizion gjithmonë vendoset në rend dite dhe debatohet për të. Për raportin vjetor po, por nuk jemi të obliguar të udhëheqim debat rreth raporteve të veçanta dhe sa më kujtohet nuk ka pasur debat rreth raporteve që po pyet” tha Pendarov.

Deputetët kanë mundur ta vendosnin në rend dite, pasi siç theksoi “Deputetët kanë të drejtë që çfarë të duan të vendosin në rend dite”. Gjithsesi, sipas tij, përveç debatit Parlamenti nuk mund të bëjë asgjë më shumë. Ligji i ri, sipas tij ia ndalon Parlamentit madje edhe sjelljen e konkluzioneve.

“Nuk kemi kompetencë kushtetuese të vlerësojmë ose të ngrisim padi a ndonjë sanksion ligjor. Nuk jemi as prokurori publike e as gjykatë dhe as nuk mund të kërkojmë nga institucionet tjera të bëjnë diçka” tha Pendarov.

“Është shumë i rëndësishëm roli i Prokurorit Publik. Prokurori Publik është ai që duhet të reagojë, nëse ka parregullsi, kuptohet”shtoi ai.

Organet kompetente për ngritje të procedurave pas raporteve të revizionit janë: Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit, Prokuroria Publike e RM-së dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Portalb.mk po pret përgjigje nga Prokuroria Publike e Maqedonisë.