Shkruan Shkëlzen Hamidi
Shqiptarët me revoltë të madhe janë duke e përcjellë vendimin e Gjykatës së Kumanovës për të dënuar me vetëm gjashtë vite burg Boban Iliqin, i cili në mënyrë mizore vrau Almir Aliun 4 vjeçar. Nga revolta e madhe ndonjë ndoshta edhe do ta përplasë celularin për tokë, pasi të lexojë lajmin se është dënuar edhe babai i Almirit dhe dy familjarë të tij. Dikush ndoshta do ta thyej edhe telekomandën, nëse këtë lajm e shikon në televizor.
Mirëpo kaq. Asgjë më tepër. Ky është maksimumi i revoltës dhe trimërisë së shqiptarëve të sotëm të Maqedonisë. Ndoshta edhe ndonjë sharje ndër dhëmbë se “ky është shtet i poshtër”. (Sharje e heshtur që të mos na dëgjojë partia, sepse kur e shajmë shtetin e kemi sharë edhe pushtetin). Këtu fillon dhe mbaron revolta e shqiptarëve të Maqedonisë. Jam i vetëdijshëm se se shumë më shumë lavdërata do të merrja nëse për shqiptarët e sotëm përdori shprehje të llojit “den baba den”, “trima me fletë”, “nuk na trembet qerpiku”, e kështu me radhë. Mirëpo unë mendoj se një fjalë që tregon realitetin e sotëm, peshon më shumë se një milion fjalë që na e bëjnë qejfin pa bazë.
Por t’i kthehem temës. Nesër vjen ditë e re. Prej nesër e tutje do të harrojmë Almirin. Do të harrojmë edhe dënimin e ulët për Boban Iliqin. Nesër e tutje do na interesojë vetëm se kur do të bëhet rikonstruimi i qeverisë. Kush do të bëhet ministër, e kush zëvendës ministër. Kush drejtor, e kush shef sektori. Në këtë derexhe kemi ardhur shqiptarët. Pas një jave bile do të pyesim se kush ishte Boban Iliqi. Do të dalim në protestë vetëm sa për të na kaluar koha dhe për të na parë dikush që ishim. Në protesta që nuk dihet se ku fillojnë, e kur mbarojnë.
Dhe prapë do të vijnë zgjedhjet. Prapë ne (shumë prej nesh) me dorën tonë do ta votojmë atë parti që më së tepërmi e duan maqedonasit. Jo pa vetëdije, por me vetëdije të plotë se çka jemi duke bërë. Me vetëdije të plotë se me votën tonë jemi duke vulosur shumë e shumë dënime të reja për shqiptarët e pafajshëm. Me vetëdije të plotë se me votën tonë jemi duke vulosur shumë e shumë “dënime” me lirim, ose dënime simbolike të vrasësve si Boban Iliqi. Të cilët nuk i prek drejtësia deri sa viktimat e tyre janë shqiptarë. Por për ne kjo nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që partia të na avancon nga “pomllad” në “postar sorabotnik”, siç është bë modë të thuhet. Dhe do të lirohet Bobani, por do të paraqitet Dragani. Kush do të jetë viktima nuk dihet, por me siguri nuk do të jetë Almiri. Almiri tani është vrarë dhe është pushkatuar. Njëherë nga Bobani, pastaj nga prokurori dhe në fund nga gjyqësori.
Dhe prapë gjithçka do të sillet në rreth. Prapë do të përplasen celularët, prapë do të thyhen telekomandat. Prapë do të mbahen protesta ku nuk do të shprehet pikë revolte. Protesta defiluese. Nga Parlamenti te Qeveria, nga “Mavrovka” deri te Prokuroria. Thuajse i bëhet dikujt vonë që ne shëtisim rrugëve dhe aktrojmë protesta!