Revolucioni hungarez i vitit 1956 dhe roli negativ i Jugosllavisë

Nga: Përparim Kabo

Sa herë afrohet 23 tetori hungarez, unë nis e gërmoj në arkiva, në botime dhe analiza për këtë ngjarje të 1956-s.

Më kishte mbetur peng se cili ishte roli i Jugosllavisë dhe i Josif Broz Titos në ato ngjarje? Cilat kanë qenë veprimet e hapura dhe cilat manovrat e fshehura?

Sa herë që kam kaluar tek Sheshi i Heronjve në Budapest dhe jam futur në Andrashi Utca (Rruga Andrashi) kam hedhur shikimin mbi godinën e Ambasadës së Serbisë (sot) dhe gjithmonë e kam “gozhduar veten” me një sërë pyetjesh: Çfarë ndodhi në 1956-n? Si Imre Nagy dhe disa nga mbështetësit e tij, gra dhe fëmijë, jo pak por 48 frymë përfunduan në godinën e Ambasadës jugosllave?

Mbaj mënd që historiografia komuniste në Shqipëri e quante Imre Nagyn një agjent të Jugosllavëve dhe Titon një agjent të imperializmit. Broçkulla! Asgjë nga historia e ngjarjeve dhe nga dinamika e tyre.

Si ndodhi dhe cili është roli i ish-Jugosllavisë për ngjarjet e vitit 1956 në Hungari, bazuar në analiza, dokumentacione arkivale dhe arsyetime të ftohta? Vështruar ngjarjet nga largësia e asaj kohe dhe bazuar në kritere të faktologjisë historike, aq të bollshme në ditët tona, do të përpiqem të sjell qartazi në këtë shkrim.

Pas Luftës së Dytë Botërore marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Jugosllavisë patën një dinamikë të re. Hungaria dilte si një vend i mundur ndërsa Jugosllavia si një vend fitues. Autoriteti Jugosllavisë ishte në rritje madje, si edhe njihet historikisht, u arrit deri në një përplasje mes saj dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit, për çështjet e socializmit, për raportet me perëndimin, për organizimin e mekanizmit ekonomik dhe për kuptimin mbi botën globale, ku Tito dhe Kardeli përveç dy kampeve shikonte dhe vendet e pangazhuara…!

Më 15 mars 1948, Milovan Gjilasi mban një fjalim në Parlamentin hungarez, por pikërisht tre ditë më vonë Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia nisën shkëmbimin e letrave që shpuri në prishjen mes tyre.

Në vitet 1949-1952 marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Jugosllavisë u përkeqësuan dhe shkuan gati në një konflikt të armatosur. Një faktor i rëndësishëm që e intensifikoi konfliktin ka qenë gjyqi që iu bë udhëheqësit komunist Lázló Rajk dhe bashkëpunëtorëve, ku u morën vendime deri në ekzekutime.

Në dhjetor të vitit 1949 Hungaria në mënyrë të njëanshme denoncoi të gjitha marrëdhëniet ekonomike politike dhe kulturore që pati nënshkruar me Jugosllavinë që nga vitit 1947. Në prill të vitit 1950, kontaktet e rregullta diplomatike mes të dy vendeve pushuan. Nga 31 marsi deri në 9 dhjetor 1951, Ambasada e Hungarisë në Beograd ishte pa ambasador. Bllokadës ekonomike iu shtua edhe kërcënimi ushtarak. Autoritetet hungareze përcaktuan një zonë kufitare rreth 30 kilometra dhe ndërtuan atje një sistem fortifikimi dhe struktura të tjera mbrojtëse. Shkeljet e kufirit, provokacionet dhe shkeljet e sovranitetit, gjithë po aq si dhe shkëmbimi i notave diplomatike, ishin të përditshme. Në kufij, autoritet hungareze, pa ndonjë deklaratë paraprake, si në heshtje shpallën gjendjen e emergjencës.

Bashkimi Sovjetik i fryu këtij zjarri të konfliktit ushtarak me qëllim rritjen e prezencës së vet ushtarake në vendet e Evropës Qendrore. Këtë taktikë e bashkëshoqëroi me propagandë. Radio Moska rregullisht sa herë që i referohej udhëheqësve të Partisë Komuniste jugosllave, si Tito, Aleksandër Rankoviq, Eduard Kardel, Milovan Gjilas, i quante ata spiunë amerikanë apo xhelatë. Në gusht të vitit 1949, për shkak të gjendjes mes Hungarisë dhe Jugosllavisë, një repart ushtarak i motorizuar sovjetik mbërriti në Hungari. Vendi ishte konsideruar si një bazë nisje për një sulm të mundshëm kundër Jugosllavisë. Kush e mendonte në atë kohë që pas shtatë vitesh, Ushtria sovjetike në ditët e para të nëntorit 1956 do të hynte ushtarakisht në Hungari për të shtypur me gjak atë që e kishte quajtur Kundërrevolucioni hungarez.

Kongresi i 19-të i Partisë Komuniste të BRSS-së dhe ai i gjashti i Partisë Komuniste jugosllave, shërbyen si tribuna për akuzat e ndërsjella. Sovjetikët akuzonin Jugosllavinë se kishte dështuar të ndërtonte socializmin dhe ishte përgjegjëse për prishjen e marrëdhënieve. Jugosllavia, nga ana e vet, e “konsideronte BS-në dhe politikën e saja si hegjemoniste dhe agresive duke ia faturuar atë Stalinit”. Në arenën ndërkombëtare Tito fliste për Perëndimin, Bllokun Sovjetik dhe grupimin e tretë ai i “Popujve të Vegjël”.

Ndarja me BS-në dhe orientimi nga Perëndimi i Jugosllavisë, pati efekte. Ndihma perëndimore dhe kreditimi për Jugosllavinë pas vitit 1950-të kapi shifrën e 2,8 miliardë dollarëve. Komunistët jugosllavë mbanin flamurin e sulmit kundër Stalinit. Me vdekjen e tij në 5 mars 1953, kërcënimi për konflikt të armatosur në Evropën Qendrore dhe Juglindore nisi të zhdukej. Marrëdhëniet mes BS-së dhe Jugosllavisë filluan të përmirësoheshin. Nga fundi shtatorit të vitit 1954, Moska njoftoi përfundimin e mbështetjes që sovjetikët u kishin dhënë politikanëve në mërgim dhe u bëri thirrje “Demokracive Popullore” të normalizonin marrëdhëniet me Jugosllavinë. Letra që Krushovi i nisi udhëheqjes Jugosllave për normalizimin e raporteve mes tyre përmbante këto pika: Mosndërhyrje në punët e brendshme; Bashkëpunimi mes dy vendeve, të cilët kishin sisteme sociale të ndryshme; Forcimi procesit të paqes dhe parandalimi i luftës.

Përgjigjja e Titos do të vinte nga mesi nëntorit; ajo ishte goxha e rafinuar si në aspektin e normalizmit të marrëdhënieve, orientimit të tyre si të tillë mes dy shteteve, apo propozimi për organizimin e një samiti të përbashkët. Në fund të majit 1955, Nikita Krushovi dhe Nikolai Bulganini, kryeministri sovjetik, vizitojnë Jugosllavinë. Deklarata e 3 qershorit e palës jugosllave e shpalli këtë si një fitore të udhëheqjes së saj. “Bashkimit Sovjetik i kërkohej të pranonte shumëllojshmërinë që rridhte nga zhvillimet jo të njëjta të socializmit.” Në konferencën e socialistëve norvegjezë që u mbajt në atë kohë në Oslo, Eduard Kardeli, ideologu kryesor i Partisë Komuniste jugosllave, nënvizoi: 1 – Rëndësinë e sistemit të këshillave punëtore si një mënyrë e re e qeverisjes; 2 – Nevojën e hapjes drejt Evropës Perëndimore; 3 – Hapjen drejt partive social-demokrate të perëndimit; 4 – Bashkimin e të gjitha vendeve të paangazhuara në një bllok.

Për të ndaluar influencën jugosllave në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik shtoi presionin ndaj partive “motra” të këtyre vendeve duke theksuar se: 1 – Modeli Jugosllav është dalje nga rruga e komunizmit; 2 – Ata janë larguar nga Marksizëm-Leninizmi; 3 – Në Jugosllavi nuk ekziston diktatura e proletariatit.

Ky normalizim nis me zbatimin e një programi të quajtur “Paqja pa luftë”. Në korrik të vitit 1953, Qeveria hungareze e siguroi Jugosllavinë për vullnetin e saja për të negociuar me qëllim që t’i jepej fund hapur armiqësisë mes të dy vendeve, si edhe të mos ndodhnin më incidente në kufij. Negociatat nisën në datën 3 gusht 1953. Në 28 gusht u riatdhesuan 110 qytetarë jugosllavë që ishin mbajtur me forcë në Hungari. Brenda vitit 1953, të dy vendet përmirësuan marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh. Sándor Kurimszky u caktua ambasadori hungarez në Beograd. Më 24 nëntor të atij viti, Dalibor Soldatiq, një diplomat karriere mbërriti si ambasador i Jugosllavisë në Budapest. Në 30 janar të vitit 1954 nënshkruhet marrëveshja mes dy qeverive për rinovimin e shenjave të kufirit. Po gjatë këtij viti pati një normalizim gradual të marrëdhënieve ekonomike.

Po ndiqej fryma sovjetike për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Në 29 nëntor 1954, në pritjen që u mbajt në Ambasadë me rastin e festës kombëtare të Jugosllavisë, për herë të parë në ato vite ishin të pranishëm Imre Nagy dhe Mátyás Rákosi, si edhe e gjithë udhëheqja hungareze (ku do ta dinin këta dy udhëheqës se pikërisht në tetor-nëntorin e 1956 ata do ishin në syrin e ciklonit dhe fatet e tyre do të kalonin nga ajo godinë dhe nga qëndrimi i Jugosllavisë së Titos). Ajo darkë duket si darka e aluçinacioneve makbethiane… të vdekurit do merrnin pushtetet e humbura dhe të gjallët do të niseshin për në udhën e të vdekurve.

Agjencia jugosllave e lajmeve nuk nguroi që në prag të vitit të ri 1955-s të njoftonte se të dy vendet ”ndajnë interesa të njëjta për çështjet që kanë të bëjnë me garantimin e paqes dhe bashkëekzistencën paqësore.” Që nga viti 1948 kur marrëdhëniet mes tyre pothuaj njohën pikën fundore, vetëm më 22 maj 1954 mes dy vendeve u nënshkrua marrëveshja e parë tregtare me një vlerë prej 1,2 milion dollarë. Më tej këto shkëmbime kapën shifrën e 15-16 milionë dollarë.

Në pranverën e vitit 1955, Imre Nagy ishe shkarkuar nga posti i kryeministrit dhe u privua nga të gjitha funksionet. Del sërish në skenë Mátyás Rákosi. Me largimin e Nagyt, normalizimi marrëdhënieve mes dy vendeve njohën një lloj ngadalësimi. Tito hapur në një fjalim ia ngarkoi këtë gjendje Rákosit.

Më 9 korrik 1955, Qeveria hungareze i propozoi ambasadorit jugosllav në Budapest shkëmbim të dyanshëm të të burgosurve politikë, bashkëpunim në ekspertizën teknike në përputhje me parimet socialiste dhe kështu u arrit të rregulloheshin vizitat reciproke nga delegacionet e aktivistëve të rinisë komuniste, sindikatave, specialistëve të bujqësisë, gazetarëve etj. Më 5 shtator nisën negociatat për çështjet ekonomike. Pala hungareze jo pa qëllim ishte e orientuar që të injoroheshin çështjet e mbetura të hapura nga e kaluara. Gjithë diskutimi të përqendrohej në problemet ekonomike prezente. Më 24 shtator, pala jugosllave ndërpreu negociatat. Ajo nuk ishte në një mendje me alternativën hungareze. Deri në dhjetor të vitit 1955, diskutimet ekonomike dhe ato financiare vijuan me shkëmbimin e notave diplomatike. Pala jugosllave insistonte që Hungaria të përmbushte detyrimet. Më në fund Hungaria pranoi. Nga fundi dhjetorit, negociatat rifilluan dhe më 29 maj 1956 u firmos marrëveshja ekonomike dhe financiare mes të dy vendeve. Në të ishte vendosur që:

”…Hungaria do të paguante kompensimin për dëmin e shkaktuar ndaj Jugosllavisë dhe shuma do të ishte më e madhe se ajo e propozuar nga hungarezët fillimisht, por edhe më e vogël nga ajo që kishin propozuar jugosllavët. Pagesa do të bëhej në mallra që kapnin vlerën deri në 85 milionë dollarë. Ky furnizim me mallra do të niste në vitin 1957 dhe do të mbyllej në vitin 1961. U anulua zona e fortifikuar 30 kilometra në kufirin mes të dy vendeve. U vendos për kthimin e pakicave kroate dhe serbe në vendbanimet e tyre. U firmos marrëveshja për trafikun ajror, për mbrojtjen nga sëmundjet infektive në fushën e shëndetit të njeriut dhe të kafshëve, në ndihmën juridike, për ekstradimet etj.”

Normalizmi i marrëdhënieve politike dhe shtetërore Hungari-Jugosllavi kishte përfunduar në verën e vitit 1956. Në tetor të po atij viti, një delegacion i Qeverisë dhe partisë punëtore hungareze viziton Beogradin. Ndërkohë Moska nuk heshtte. Ajo vigjilonte në Evropën Qendrore dhe Lindore. Ishte bërë e qartë se Moska kishte për qëllim integrimin e Jugosllavisë në politikën e saj në Evropën Qendrore dhe në aleancën ushtarake.

Më 24-27 qershor 1956 mbahet samiti sekret i Moskës. Atje u pranua se ishte dështuar për realizmin e këtyre objektivave. Jugosllavët e përdorën këtë gjë për të rritur prestigjin e tyre dhe influencën në atë që u quajt procesi i destalinizimit, duke shtuar influencën në ish-vendet e Evropës lindore. Në këtë ndërmarrje i duheshin aleatët. Ndryshimet kishin nisur në disa nga vendet e Lindjes; ato morën shkëndijë në RDGJ, por u zgjeruan në Poloni me Gomulkën dhe në Hungari. Ndeshja mes reformatorëve dhe elementëve konservatorë reklamohej nga jugosllavët si sukses që ishte mëkuar nga modeli jugosllav. Për Titon dhe ata që e rrethonin në udhëheqjen e lartë hungareze, garanci jepte vetëm Imre Nagy. Në të vërtetë, Jugosllavia gëzonte një prestigj të lartë tek opinionbërësit, te inteligjenca dhe elita hungareze. Në qarqet që debatonin në Klubin Petëf, shpesh diskutohej nëse ishte e mundur të ndërtohej një socializëm ndryshe.

Më 18 korrik 1956, Rákosi u shkarkua nga posti sekretarit të parë të Partisë Punëtore hungareze. Sovjetikët që e rrëzuan e motivuan me mosbesimin që ata kishin ndaj tij. Moska e konsideronte si të paaftë për një afrim të mundshëm të Jugosllavisë me bllokun sovjetik. Në vend të tij ngjitet Ernö Gerö për të cilin jugosllavët kishin rezerva. Më 19 Korrik 1956, Gerö i shkruajti Titos ku i kërkonte rikthimin e negociatave. Tito si finok që ishte e la ca kohë në heshtje dhe ktheu përgjigje konfirmuese më 11 shtator. Ai e kuptonte se anulimi bisedimeve mund të ngrinte tension politik në Hungari. Data e takimit ishte caktuar 30 shtatori dhe vendi Krimeja. Tito përball Gerös dhe në shpinë si në hije për të lëvizur telat vetë Krushovi.

Në Budapest ishte njoftuar se në 6 tetor 1956 një delegacion i Partisë dhe qeverisë do bënin vizitë zyrtare në Beograd. Data ishte zgjedhur jo pa qëllim nga jugosllavet. Pikërisht atë ditë do bëhej rivarrimi i eshtrave të Lazlo Rajkut dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij, që u ekzekutuan kur në vendet komuniste ishin bërë spastrimet anti-jugosllave (në Shqipëri kundër Koci Xoxes). Vizita u zhvillua në kulmin e ngjarjeve në Hungari nga data 15-22 tetor 1956. Dukej se pala sovjetike kishte punuar bukur në prapaskenë. Gerö bëri autokritikë për ngjarjet e viteve 1948-1949. Jugosllavët dënuan ashpër vendosjen e trupave sovjetike në atë kohë në Hungari. Madje u paraqit dokumenti që argumentonte, sipas rrethanave, ndërhyrjen sovjetike. Lidershipi jugosllav do të mirëpriste rikthimin në udhëheqje të Imre Nagyt dhe mbështetësve të tij ashtu si kishte ardhur Gomulka në Poloni. Ky lloj kujdesi për këtë krah liberal lidhej me faktin se Jugosllavët shikonin me shumë shqetësim zhvillimin e ngjarjeve në Hungari. Këtë e shprehu vetë Tito në letrën e 28 tetorit, aq sa ai mendonte se në Hungari po gatuhej një kundërrevolucion që rrezikonte arritjet e socializmit në atë vend.

Më 31 tetor ambasadori Jugosllav në Budapest, Soldatiq, ishte urdhëruar të informonte Imre Nagyn për shqetësimin e udhëheqjes Jugosllave, në lidhje me rrezikun e devijimit të djathtë që kërcënonte sistemin shoqëror. Beogradi ishte i shqetësuar me kahjen dhe dimensionet si dhe karakterin e revolucionit hungarez të 1956-s. E trembte nacionalizmi hungarez, antikomunizmi i hapur aq sa aludohej se mund të instalohej një regjim autokratik i djathtë si ai i Horthit para vitit 1945. Mund të rriteshin pretendimet nacionaliste dhe kërkesat për pakicën hungareze në Jugosllavi që ishte goxha në numër dhe në territor – krahina e Vojvodinës.

Forcimi i kryengritjes së armatosur në Hungari e vunë në alarm Ushtrinë Jugosllave e cila në datën 4 nëntor ishte e përhapur në gatishmëri në kufirin me Hungarinë. Udhëheqja Jugosllave hodhi poshtë prezantimin e strukturës shtetërore me sistem shumëpartiak pa kufizime, ndërtimin e një strukture politike demokratike borgjeze dhe krijimin e partive politike të krahut të djathtë të paraqitura nga revolucionarët hungarezë. Nuk u aprovua nga jugosllavët gjithçka kishte ndodhur në fund të tetorit dhe në ditët e para të nëntorit 1956 në Hungari. Dukej qe realiteti hungarez i vitit 1956 e tejkalonte socializmin vetadministrues jugosllav dhe hipokrizinë e tij. Interesat gjeopolitike kishin dalë në planë të parë. Jugosllavët kthejnë pllakën dhe afrohen me sovjetikët. Çfarë ndodhi?!

Tito dhe udhëheqja jugosllave turpërisht dalin kundër interesave të popullit hungarez dhe revolucionit demokratik të 1956-s. Ata pranuan se në kushtet kur nuk kishte më zgjidhje paqësore e keqja më e vogël sipas tyre ishte të pranohej ndërhyrja ushtarake sovjetike në përputhje me deklaratën e 30 tetorit dhe prej jugosllavëve u shpreh besimi në angazhimin e Krushovit për reformim. “Kampionët e paqes,” “ideatorët e rrugës specifike të socializmit,” “drejtuesit e botës së tretë, të vendeve të paangazhuara,” u tremben dhe si pa gjë të keq ata që nuk kishin qenë me bllokun sovjetik, pranuan që një vend i pavarur dhe sovran si Hungaria; një popull heroik dhe me kontribute si populli hungarez, ai që i pari u ngrit kundër sundimit imperialist sovjetik, të pushtohej me forcën e armëve dhe të shtypej me zinxhirët e tankeve.

Cilat janë faktet historike që kam pasur gjithnjë kuriozitet ti njihja, por sot edhe t’i shkruaj?

Kur Krushovi dhe Malenkovi mbërritën në Brione në mbrëmjen e 2 nëntorit 1956, ata u ndjenë thellësisht të befasuar të takonin Titon dhe stafin e tij, të cilët ishin dakord me interpretimin që sovjetikët u bënë ngjarjeve në Hungari, të konsideruar si kundërrevolucion (njësoj si Enver Hoxha dhe PPSH-ja në Shqipëri) dhe nevojën për të mbrojtur arritjet e socializmit. Për këto arsye, udhëheqja jugosllave shprehu pranimi e vendimit sovjetik për ndërhyrjen ushtarake në Hungari. Kjo është e vërteta historike. Ky ka qenë mareshali Tito, ky është qëndrimi i tij ndaj sovjetikëve kur ishte në tehun e thikës Hungaria dhe populli Hungarez. I vetmi diskutim ishte në lidhje me kryeministrin e mundshëm hungarez. Sovjetikët preferonin Ferenc Münnich. Jugosllavët propozuan Janos Kadarin. Jugosllavët në takimin e Brionit morën përsipër se ndërkohë që sovjetikët do të hynin me trupa ata do ta bindnin Imer Nagyn të jepte dorëheqjen dhe në këtë mënyrë do të mund të hapej rruga për një qeveri më në krye Kadarin. Ky qëndrim është një komplot. Këtë ka bërë Jugosllavia ndaj ngjarjeve të Hungarisë të 1956-s.

Pasi i nguli thikën pas shpine me sulmin, bëri hipokritin në atë që dukej si kujdes. Më 1 nëntor 1956 Zoltan Szanto dhe Greza Losonczy- i kërkuan vullnetin Ambasadës jugosllave të afronte azil politik për fëmijët dhe bashkëshortet e disa prej udhëheqësve politikë, në kushtet e rënduara dhe pasigurinë që kishte pllakosur. Pasditen e 3 nëntorit, ambasadori Soldatiq, pas instruksioneve që kishte marrë nga Beogradi, informoi ndërmjetësuesit se Ambasada jugosllave do ta bënte një gjë të tillë. Beogradi madje e informoi ambasadorin e vet se pritej shumë shpejt një ndërhyrje ushtarake sovjetike, ndaj takimi me z. Szanto duhej kryer sa më shpejtë.

Këtu qëndron poshtërsia: Pse udhëheqja jugosllave nuk doli hapur ta thoshte këtë gjë? Pse nuk njoftoi opinion publik ndërkombëtar apo institucionet ndërkombëtare? pse nuk e njoftoi udhëheqjen hungareze?

Qëllimi ishte premtimi që iu ishte bërë sovjetikëve ndaj ambasadori jugosllav iu shpreh Szantós se në Ambasadë mund të strehohej edhe Imre Nagy dhe drejtues të tjerë të udhëheqjes së Partisë. Kjo e habiti z. Szantó. Ai iu drejtua ambasadorit jugosllav se as Imre Nagy dhe askush nga udhëheqja nuk kishte qëllim largimin. Kryediplomati jugosllav insistonte për një përgjigje sa më të shpejtë, por pa “i zbuluar atij kërcënimin sovjetik.” Në të gdhirë të 4 nëntorit 1956, kur sulmi ushtarak sovjetik ndodhi, Imre Nagy njoftoi në radio gjithë botën për goditjen. Konfirmoi pozicionin e tij dhe të qeverisë në detyrë, por po atë ditë e kuptoi se ishte i pafuqishëm. Ngado i rrethuar, si nga lindja dhe nga perëndimi kishte besëprerje. Populli hungarez u gjend i tradhtuar. Plani jugosllav për largimi e tij nga procesi politik funksionoi. Po atë ditë Imre Nagy dhe 48 individë të tjerë përfunduan në Ambasadën jugosllave në Budapest, por jo si refugjat për të kërkuar azil. Çuditërisht grupi u vu në izolim pa lidhje me botën jashtë. Sovjetikët e quanin Imre Nagyn tradhtar, ndërsa diplomacia dhe politika Jugosllave i bënte presion të nënshkruante dorëheqjen, pra nuk donin ta mbanin në Ambasadë si kryeministrin legjitim të Hungarisë. Nagy dhe të gjithë ata që e shoqëronin nuk pranuan propozimin jugosllav për të pranuar ndërhyrjen ushtarake të sovjetikëve dhe të njihnin autoritetin e qeverisë së Kadarit.

Gjendja dukej si një kurth. Jugosllavët përball opinionit ndërkombëtar dhe atij vendas, ndërkohë që sovjetikët nuk qenë dakord me dhënien e azilit. Ata kërkuan që Nagy dhe grupi tij t’u dorëzoheshin qeverisë së Kadarit. Krushovi e kërcënoi Jugosllavinë se nëse nuk pranohej kërkesa sovjetike atëherë Nagy do shpallej agjenti i jugosllavëve dhe ajo do shpallej me përgjegjësi për gjendjen e krijuar në Hungari. Flitet për një negocim të gjatë mes Jugosllavëve dhe Kadarit, gjoja për ta bindur këtë të fundit që të nënshkruante një letër në të cilën ai garantonte se nëse jugosllavët tërhiqeshin nga azili, Nagy dhe të tjerët do të ktheheshin në shtëpi pa ndonjë ndëshkim. Personalisht nuk e besoj. Ky në gjykimin tim ka qenë një plan i KGB-së me miratimin e Jugosllavëve. Dhe, kështu ndodhi me të dal nga ambasada në 22 nëntor 1956: sovjetikët e rrëmbyen Imre Nagyn dhe anëtarët e tjerë të grupit dhe i shpunë në burg në Rumani ku edhe i mbajtën të arrestuar deri në zhvillimin e procesit gjyqësor.

Pavarësisht nga lufta diplomatike që shpërtheu më pas, është fakt që Jugosllavia e Titos e goditi atë ngjarje aq progresive në mes të viteve 50-të, revolucionin Hungarez të 1956-s, duke e kryer këtë akt herë hapur e herë pas shpine.

SHPËRNDAJE